Franca ndalon konsumimin e alkoolit në ambiente publike, vala e të nxehtit përfshin Europën

21 Qershor 2026, 17:52 / BOTA ALFA PRESS

Franca ndalon konsumimin e alkoolit në ambiente publike, vala e të

Franca ka vendosur masa të jashtëzakonshme për përballimin e valës së fortë të të nxehtit që po godet Europën, duke ndaluar konsumimin e alkoolit në ambiente publike në zonat e vendosura nën alarm të kuq.

Rreth një e treta e territorit francez ndodhet në nivelin më të lartë të alarmit për temperatura ekstreme, ndërsa termometri pritet të arrijë deri në 40 gradë Celsius. Autoritetet kanë aktivizuar shërbimet e emergjencës dhe forcat ushtarake për rrezikun e zjarreve, kanë anuluar disa aktivitete sportive në natyrë dhe kanë mbyllur 845 shkolla.

Masat janë marrë edhe për shkak të Festës Kombëtare të Muzikës, e cila pritet të mbledhë mijëra njerëz në qytete të ndryshme të vendit. Qeveria franceze u ka kërkuar organizatorëve të kufizojnë përdorimin e alkoolit për të shmangur mbingarkimin e spitaleve dhe shërbimeve të emergjencës.

Autoritetet franceze druhen nga përsëritja e tragjedisë së vitit 2003, kur vala rekord e të nxehtit shkaktoi vdekjen e rreth 15 mijë personave, kryesisht të moshuar.

Ndërkohë, temperatura shumë të larta janë regjistruar edhe në Spanjë, Itali, Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Në disa zona të Spanjës dhe Italisë termometri po i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për qytetarët.

Sipas ekspertëve, fenomenet ekstreme të motit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike, duke rritur rrezikun për shëndetin publik dhe sigurinë në mbarë Europën.

Po ndodh...

ide