‘Do e shohim, kokrra e legenit’, Agron Tare, i thirrur nga SPAK për lidhjet me Ballukun kërcënon gazetarin e SYRI TV

Ish-funksionari i lartë publik, Agron Tare, ka kërcënuar gazetarin e SYRI TV Fatjon Gjinaj, pas marrjes në pyetje nga prokurorët. I pyetur për rreth 35 minuta në lidhje me një çështje hetimore, Tare ka humbur kontrollin në dalje, duke iu drejtuar gazetarit me fjalët “legen, kokrra e legenit” dhe me kërcënimin “do e shohim”.
Ngjarja u regjistrua kur gazetari po kryente detyrën e tij, duke filmuar daljen e Tares nga ambientet e SPAK. Ky i fundit ka reaguar ashpër, duke pretenduar se nuk duhej regjistruar pasi nuk ishte “funksionar publik”. Ky pretendim bie ndesh me karrierën e gjatë të Tares në administratën publike, e cila përfshin poste të rëndësishme si zyrtar në Ministrinë e Jashtme, drejtor i Zyrës së Minoriteteve, këshilltar i jashtëm i kryebashkiakut të atëhershëm Edi Rama, anëtar i grupit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Konsull i Përgjithshëm në Stamboll, drejtor i Portit të Durrësit dhe zëvendësministër.
Prania e Agron Tares në SPAK lidhet me hetimet për dosjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ai ishte thirrur për herë të dytë, pasi rreth një javë më parë kishte dhënë dëshmi si person në dijeni. Në këtë çështje është subjekt hetimi edhe vëllai i tij, ish-futbollisti Igli Tare. Më herët, një emision investigativ ka publikuar materiale që flisnin për një rol të mundshëm të vëllezërve Tare në procedura apo përfitime përmes firmave të lidhura me ish-ministren Balluku dhe kryeministrin Edi Rama.
Përballja e ashpër dhe gjuha denigruese e përdorur nga një ish-zyrtar i këtij niveli ndaj një punonjësi të medias përbën një akt të paprecedentë.
Sjellja e Tares, e shoqëruar me tone dhe mimika kërcënuese, tregon një përpjekje për të intimiduar median dhe për të shmangur llogaridhënien publike, duke ngritur pikëpyetje serioze për qëndrimin e ish-eksponentëve të lartë të shtetit ndaj transparencës dhe lirisë së shtypit.
Shpjegimet e gazetarit Fatjon Gjinaj:
Fatjon Gjinaj: Një ditë e ngjeshur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në fakt kemi raportuar ngjarje nga më të ndryshmet për lajme dhe shqetësime të qytetarëve shqiptarë apo dosje hetimore me interes të opinionit publik. Ndërkohë që këtë ishim duke bërë edhe ditën e sotme, ku konstatuam se njësoj si shumë zyrtarë të tjerë, edhe Agron Tare, në kohën kur i bie shansi të përballet me drejtësinë, janë të gatshëm të harrojnë edhe vetveten. Ai tha se nuk duhej të regjistrohej për shkak se nuk është funksionar publik, por i kujtojmë Agron Tares se në vitin 2000 ai ka qenë zyrtar në Departamentin e Organizatave Ndërkombëtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për t'u emëruar më pas drejtor i Zyrës së Minoriteteve. Në vitin 2001 deri në vitin 2005, Tare ka qenë këshilltar i jashtëm në Bashkinë e kryeqytetit ku ky institucion drejtohej nga kryeministri i sotshëm Edi Rama. Në vitet 2002-2006, Agron Tare ka qenë anëtar i grupit negociator mbi marrëveshjen e stabilizim-asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ndërsa në 2014-ën, një vit pasi Edi Rama vjen me qeverisjen socialiste në pushtet, deri në 2019-ën ka qenë konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll. Deri në tetor të të njëjtit vit, Tare ishte drejtor i portit të Durrësit. Më pas do të emërohej edhe zëvendësministër. Ndërkohë që këtë CV të Agron Tares e paraqita jo pa qëllim, për t'i kujtuar se është një ish-funksionar i lartë i Republikës së Shqipërisë dhe natyrisht interesi i publikut dhe i mediave lidhet pikërisht me atë çfarë ka përfaqësuar në kohë të ndryshme.
Rreth 35 minuta ka qëndruar në ambientet e prokurorisë ish-zyrtari i lartë, i cili është njëherësh edhe vëllai i ish-futbollistit të kombëtares shqiptare, Igli Tare, i cili është gjithashtu subjekt i veprimeve hetimore të Prokurorisë së Posaçme lidhur me dosjen e Belinda Ballukut, ish-zëvendëskryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Emisioni investigativ “Plug” në Syri Televizion disa javë më parë publikoi materiale për herë të parë, në dukje kompromentuese, por që i takon organit hetues t'i specifikojë dhe t'i sqarojë se cili është roli i vëllezërve Tare në një sërë procedurash apo përfitimesh përmes firmave të Belinda Ballukut apo edhe të kryeministrit Edi Rama në cilësinë e kreut të KKT-së. Ndërkohë që vetëm rreth një javë më parë kemi raportuar se Agron Tare ka qenë gjithashtu i paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ku ka dhënë sqarime si person në dijeni dhe sot është rikthyer për rreth 35 minuta, ndoshta me interesin e prokurorëve për të mësuar diçka tepër dhe shtesë lidhur me hetimet që po bëhen ndaj Belinda Ballukut. Pas paraqitjes në organin e prokurorisë, Agron Tare është larguar dhe në fakt nuk pritej të dilte kaq shpejt dhe kamerat jo të gjitha ishin të fokusuara tek ai.
Eneida Ndoci: Pra konkretisht Fatjon, mediat e tjera nuk kanë filmuar në momentin që ti ke filmuar atë çastin e komunikimit me Agron Taren apo jo?
Fatjon Gjinaj: Një pjesë e konsiderueshme jo, për faktin se edhe dalja e zotit Tare ishte e shpejtë dhe nuk pritej që të dilte kaq shpejt nga prokuroria dhe pjesa e konsiderueshme e mediave dhe gazetarëve ndoshta nuk ishin të vëmendshëm në momentin kur doli. Edhe unë personalisht e kam konstatuar daljen e tij vetëm tek godina e improvizuar e hyrje-daljeve në organin hetues.
Eneida Ndoci: Po a mund të na thuash pak se kush ishte komunikimi juaj me të dhe cilat kanë qenë fjalët intimiduese të adresuara kundrejt teje? Ne e pamë një pjesë të videos dhe dukej që edhe portreti i Tares nuk ishte shumë i qetë në momentin që të ka parë.
Fatjon Gjinaj: Kishte tone kërcënuese, kishte tone të acarimit, të pakënaqësisë dhe të padëshirës së tij për t'u regjistruar. Ka përdorur fjalor që nuk i shkon një ish-zyrtari të lartë, një personazhi publik, një vëllai të një personaliteti, duhet thënë, të jetës sportive në vend siç është Igli Tare. Fjala e cila përdori ishte legen, kokrra e legenit.
Unë bëra menjëherë një kërkim në fjalorin e gjuhës shqipe dhe e cila ka nënkuptime në pesë variante të paktën dhe i adresoj një pyetje Agron Tares, që në qoftë se e ka në një kontekst të caktuar, le të më përgjigjet se ç'lloj legeni jam, në të gjitha nënkuptimet e kësaj fjale. Në të kundërt, sa i takon kërcënimeve, më lejoni të dal nga diskrecioni i profesionistit dhe t'i them zotit Tare: pushka top.
Eneida Ndoci: E qartë. Në momentin kur ti i ke thënë që, ‘unë po bëj punën time’, cili ka qenë reagimi se nuk dëgjohet, është pak larg në dukje dhe nuk nuk arrijmë dot ta perceptojmë atë çfarë çfarë të është thënë mbrapsht?
Fatjon Gjinaj: Mos filmo, nuk jam figurë publike, legen, kokrra e legenit, do e shohim. Këto kanë qenë fjalët e përdorura. Në momentin kur unë i them që jam duke bërë thjesht detyrën dhe çfarë pastaj, nëse të regjistroj, tha që do e shohim. Edhe kishte improvizime dhe mimika, në dukje kërcënuese nga ana e zotit Tare. Ky ka qenë momenti i daljes dhe i komunikimit që kemi patur me të. Asnjë përgjigje, sikurse shumë zyrtarë, pak më herët ishte Mirlinda Karçanaj, e cila do të fajësonte mediat për shtrembërimin apo mosraportimin e drejtë të të dhënave dhe fakteve. E pyetur se cilat janë këto shtrembërime, ajo nuk iu përgjigj dhe natyrisht si shumica e personave që paraqiten në organin hetues, gjejnë forma të ndryshme për të shmangur mediat apo qoftë edhe duke intimiduar ata. Pak muaj më parë ka qenë një tjetër zyrtar, apo person i përfshirë në dosjen e IPARD-it që përdori përafërsisht gjuhën e njëjtë me një nga kolegët operatorë në ambientet e prokurorisë. Nuk është kjo gjuhë e përshtatshme, nuk është një gjuhë me të cilët duhet t'i flitet publikut, është një gjuhë e kritikueshme dhe e ndëshkueshme dhe ndoshta edhe e vlerësueshme nga autoritetet përkatëse sa i takon ndalimit të këtij lloj komunikimi me këdo, e përfshirë këtu edhe me gazetarët.
Po ndodh...
Të shtunën molotov, të enjten pazar!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128