Barella dhe plagët e finales së Champions-it: Nuk kam ende një shpjegim...

23 Qershor 2025, 17:28 / SPORT ALFA PRESS

Barella dhe plagët e finales së Champions-it: Nuk kam ende një

Kanë kaluar gati katër javë nga ajo që për shumë tifozë të Interit mbetet një natë e paharrueshme për nga dhimbja: humbja 5-0 ndaj PSG-së në finalen e Ligës së Kampionëve, e zhvilluar në Monaco.

E megjithëse ditët kanë rrjedhur dhe ekipi është zhvendosur në sfidat e Botërorit për Klube, dhimbja nuk është fashitur.

Këtë e tregon edhe Nicolò Barella, një prej liderëve të mesfushës zikaltër, në një intervistë të fundit për DAZN.

I pyetur nëse ka arritur të kuptojë se çfarë ndodhi atë mbrëmje të zymtë, Barella tregon sinqerisht:

“Të them të drejtën, nuk kam një përgjigje. Ndoshta nuk ka një shpjegim të vetëm.

Ka qenë një kombinim faktorësh, shumë ndjesi të përziera, dhe është e vështirë të thuash pse ndodhi ajo rënie.”

Mesfushori italian zbulon se edhe brenda dhomave të zhveshjes është bërë përpjekje për të kuptuar situatën, por pa një konkluzion të qartë:

“Folëm mes nesh, sidomos me lojtarët me më shumë përvojë.

Nuk kërkonim fajtorë, por donim të kuptonim ndjesitë e njëri-tjetrit. Ishin të ndryshme dhe të shumta, çka tregon se nuk kishte një shkak të vetëm.

Futbolli është kështu, ndonjëherë të kap në një ditë të keqe. Fatkeqësisht, kjo ditë ishte… finalja.”

Megjithatë, Barella nuk pranon që e gjithë rruga e Interit në Europë të reduktohet në atë disfatë të rëndë. Përkundrazi, ai thekson arritjet dhe pjekurinë që skuadra ka fituar:

“Unë e ruaj me krenari rrugëtimin tonë. Humbëm ndaj skuadrës më të fortë në botë sot (PSG), – por më parë mundëm Bayern-in dhe Barcelonën, dy gjigantë të tjerë.

Ajo që më mbetet është përvoja, rruga që përshkuam dhe detyrimi im për të dhënë gjithmonë më të mirën për shokët e mi, për klubin dhe për trajnerin që, me stafin e tij, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme që nga dita e parë.”

Në një kohë kur Interi kërkon të rindërtojë moralin dhe besimin pas kësaj goditjeje, fjalët e Barellës nuk janë thjesht një analizë: ato janë një deklaratë përgjegjësie, nga një futbollist që nuk ka ndërmend të fshihet pas humbjeve, por të rritet me to.

 

Po ndodh...

ide