Trafik droge drejt Greqisë, kush janë 3 ish-policët në gjykim nga SPAK/ Njëri prej tyre ish-kandidat i Berishës për Bashkinë e Roskovecit

Pranverën e vitit 2023, Erdit Hazizaj, një ish drejtues policie në disa komisariate, kandidonte si kryebashkiak për Roskovecin nën siglën e Partisë Demokratike, siç duket edhe në këtë jetëshkrim në faqen e PD ku 45-vjeçari i asaj kohe cilësohet si një “figurë e pastër morale”.
Tre vite më pas, sot 48 vjeç, Hazizaj do të përgjigjet para GJKKO për 4 akuza të rënda që lidhen me trafikun e drogës në kohën kur vishte uniformën blu të shtetit. SPAK e ka dërguar emrin e tij, mes tre ish-punonjësve të policisë, për trafik droge, grup të strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre.
SPAK thotë në njoftim se Erdit Hazizaj, në pozicionin e specialistit të Forcës Operacionale, i ka shërbyer dhe ka qenë anëtari i një grupi kriminal në zonën Sarandës që ka kryer aktivitetin kriminal gjatë viteve 2019-2021. Drejtues të grupit dyshohet se janë Kristi Qirici, vëllai i Edmond Papës, i ekzekutuar në dhjetor 2022, i arrestuar pak ditë më parë në Abu Dhabi, dhe në pritje të ekstradimit, si dhe Eldjon Alushaj.
Për këtë grup hetimet dokumentuan një nga episodet më të mëdha të trafikut të drogës drejt Greqisë, ku më 7 mars 2020, përmes pikës së Qafë Botës, u trafikuan mbi 1.1 tonë kanabis, si dhe sasi kanabisi të përpunuar në formë çokollate dhe vaji, me vlerë rreth 1.7 milionë euro. Droga u sekuestrua në Greqi, ndërsa dy italianë përfunduan të dënuar në shtetin helen.
I akuzuari tjetër, ish-polici Shkëlzen Ruska, ishte rekrutuar nga një tjetër grup kriminal të trafikut të drogës, këtë herë në zonën Tepelenë-Gjirokastër. Në të njëjtën periudhë Ruska i ka shërbyer grupit të drejtuar nga Luiz Bala. Ruska, i cili asokohe mbante detyrën e specialistit në Policinë e Gjirokastrës ka ndihmuar drejtuesin e grupit të strukturuar kriminal duke ofruar informacione dhe garanci për aktivitetin e kundraligjshëm. Për këtë grup SPAK ka dokumentuar një rast të tetorit 2020 kur u sekuestruan 1360 bimë narkotike, me gjatësi 30-120 cm, në gjendje të njomë, me peshë totale 1280 kg. Shkëlzen Ruska është dërguar për gjykim me akuzat e kultivimit të drogës, grupit kriminal dhe shpërdorim detyre.
I pandehuri i tretë, Ervis Alisinaj, ish-shef i krimeve në Lushnjë, ka vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi dyshohet se nuk ka kryer funksionin në një rast të grupit të Sarandës, me drejtues Kristi Qiricin. Hetimet për tre ish uniformat blu, në burg që prej marsit 2025, u ndanë me fraksion nga një dosje e gjerë hetimi grupesh kriminale në jug të vendit.
Të akuzuarit dhe veprat penale
Erdit Hazizaj - specialistit në Sektorin e Hetimit në Mbulim, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale - “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, “Shpërdorim i detyrës”,
Shkëlzen Ruska - specialistit në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër - “Kultivim i bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Shpërdorim i detyrës”
Ervis Alisinanaj - ish-shef i krimeve në Lushnjë - “Shpërdorim i detyrës”
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 169/1 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve:
Erdit Hazizaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale:
“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal;
“Grup i strukturuar kriminal”, e kryer në formën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal;
“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal;
“Shpërdorim i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Shkëlzen Ruska, i akuzuar për veprat penale:
“Kultivim i bimëve narkotike”, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284 paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal;
“Grup i strukturuar kriminal”, e kryer në formën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal;
“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal;
“Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Të pandehurit Ervis Alisinanaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale:
“Shpërdorim i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Ky proçedim penal është ndarë nga çështja penale nr.169 e vitit 2022.
Nga hetimet e kryera rezulton se gjatë viteve 2019-2021, në zonën e Sarandës ka vepruar një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike. Drejtuesi dhe organizatorët e këtij grupi dyshohet se janë shtetasit nën hetim, K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A), Anëtarët e këtij grupi kishin detyra të përcaktuara për sigurimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.
Hetimet kanë dokumentuar rastin e trafikimit, më 7.3.2020 përmes pikës së kalimit kufitar në Qafë Botë, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro. Kjo sasi u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi.
Kur anëtarë të grupit arrestoheshin nga agjencitë e zbatimit të ligjit, anëtarët e tjerë interesoheshin për ndihmën ekonomike të personave të arrestuar dhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore. Sipas hetimeve, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kishin krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore me punonjës të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur vijimësinë e aktivitetit kriminal.
I tillë është rasti i Erdit Hazizaj, në atë kohë mbante detyrën e specialistit në Sektorin e Hetimit në Mbulim, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, i cili i ndihmonte drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për zhvillimin e aktivitetit të kundraligjshëm.
Gjatë viteve 2019-2021, në zonën Tepelenë-Gjirokastër, ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, nën drejtimin e shtetasit nën hetim, L.B (alias E.S), ndërsa pjesëtarët e grupit kishin detyra të ndara për kultivimin e bimës narkotike në zonën Tepelenë – Gjirokastër. Hetimet kanë dokumentuar rastin e datës 1.10.2020, në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari (Tepelenë), ku Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër zbuloi dhe sekuestroi 1360 bimë narkotike, me gjatësi 30-120 cm, në gjendje të njomë, me peshë totale 1280 kg. Sasia e bimëve narkotike ishte kultivuar nga ky grup kriminal.
Drejtuesi i tij kishte krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore edhe me punonjës në Policinë e Shtetit, në rastin konkret, me të pandehurin Shkëlzen Ruska, i cili asokohe mbante detyrën e specialistit në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar drejtuesin e grupit të strukturuar kriminal duke ofruar informacione dhe garanci për aktivitetin e kundraligjshëm.
Nga tërësia e provave të administruara rezulton se të pandehurit, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinaj, në vazhdimësi, gjatë vitit 2020, në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe funksionale, si punonjës të Policisë së Shtetit, kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e rregullt të strukturave policore, duke mos ndërmarrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve apo veprime të tjera të kundraligjshme.
Këto veprime, bazuar në hetimet e kryera, kanë sjellë pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit si dhe kanë cenuar besueshmërinë e Policisë së Shtetit përpara publikut dhe kanë dëmtuar ushtrimin e misionit të saj në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Po ndodh...
Si i "mashtroi" Lulzim Basha demokratët për Sali Berishën!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
