Kreu masakër në Shkup në 2007-ën, 52-vjeçari i shumëkërkuar fshihej prej vitesh te Liqeni i Thatë

27 Janar 2026, 10:15 / AKTUALITET ALFA PRESS

Kreu masakër në Shkup në 2007-ën, 52-vjeçari i

Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut është arrestuar në Tiranë, pas disa muajsh hetime dhe kërkime intensive nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.

Policia njofton se është finalizuar faza e 80-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, në kuadër të të cilit u lokalizua dhe u kap shtetasi B.Sh., 52 vjeç, banues në fshatin Kopanicë, Saraj, Maqedoni e Veriut.

Lokalizimi i tij u bë pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Sipas Policisë së Shtetit, 52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, konkretisht në zonën e Liqenit të Thatë, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara në emër të një shtetasi nga Kosova. “Nga verifikimi i thelluar rezultoi se shtetasi i shoqëruar, i cili përdorte dokumente identifikimi dhe leje për drejtim automjeti të falsifikuara, ishte person i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë”, bën me dije policia.

Arrestimi i tij u krye me qëllim ekstradimin, pasi Interpol Shkupi e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Shkupit, që në vitin 2007, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja”.

Për këtë vepër, legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm”, thekson Policia e Shtetit.

Sipas autoriteteve maqedonase, B.Sh. dyshohet se më 05 tetor 2007, në fshatin Kopanicë të Shkupit, ka vrarë me armë zjarri tre shtetas. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën ku qëndronte, policia i ka gjetur dhe sekuestruar një pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje drejtimi automjeti, të gjitha të falsifikuara, me gjenealitetet e një shtetasi nga Kosova. 

Materialet procedurale, për veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, po vijon procedurat ligjore për ekstradimin e 52-vjeçarit drejt Maqedonisë së Veriut, ku ai pritet të përballet me drejtësinë për akuzën e vrasjes së trefishtë.

Operacioni “Operacionalja” konsiderohet një nga aksionet më të gjera të Policisë së Shtetit për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, ndërsa autoritetet theksojnë se bashkëpunimi me partnerët mbetet kyç në luftën kundër krimit.

 

Po ndodh...

ide