Superkupa e Europës, Ançeloti i merr të gjithë me vete në Varshavë kundër Atalantës

13 Gusht 2024, 14:25 / SPORT ALFA PRESS

Superkupa e Europës, Ançeloti i merr të gjithë me vete

Reali i Madridit do ta nisë me një ndeshje për trofe sezonin e ri nesër në mbrëmje (21:00), “Los Blancos” do të përballen me Atalantën në Varshavë në finalen e Superkupës së Europës.

Trajneri i Madridit, që pritet të dalë sot në konferencën për shtyp i ka bërë të qarta qëllimet e tij.

Karlo Ançeloti ka marrë me vete në Varshavë të gjithë lojtarët në dispozicion, duke shtuar këtu talentin Jakobo Ramon, kampion Europe me Spanjën U-19 këtë verë, duke zëvendësuar të dëmtuarin Joan Martinez.

Fokusi do të jetë natyrisht te Kilië Mbape, i cili pritet të debutojë me Realin pas nënshkrimit të tij në merkaton e verës.

Madridi dhe Atalanta kërkojnë që sezonin aktual ta nisin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar trofeun e parë të sezonit.

Superkupa është një trofe që madrilenët e kanë fituar pesë herë në historinë e tyre, ndërsa skuadra nga Bergamo do ta kërkojë ta bëjë për herë të parë në historinë e saj.