RecetaAlfa/ Tavë qengji me kos

20 Shtator 2024, 08:48 / RECETA ALFA ALFA PRESS

RecetaAlfa/ Tavë qengji me kos

Përbërësit:

1 kg mish qengji
1.5 kg kos të trashë
5 vezë të freskëta
2 lugë miell
3 lugë gjalpë të tretur
1 kokërr qepë
Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Mishin e kriposim dhe e vendosim në tenxhere me 2 gota ujë. Në tenxhere kemi futur një kokërr qepë të paprerë, vetëm të qëruar nga lëvozhga. I lëmë të ziejnë për pak kohë, më pas largojmë qepën me ndihmën e një luge dhe nuk e përdorim më. Pastaj mishin e vendosim në një tepsi, e lyejmë me gjalpë dhe e fusim në furrë për 15-20 minuta. Kontrollohet se mos thahet a mos ka nevojë për pak lëng nga lëngu i vet.

Para se t'a heqim kur sapo ka filluar të marrë atë faqen e kuqërremtë, shtojmë pak lëng të mbetur në tenxhere, e lëmë edhe disa çaste dhe e heqim nga furra. E lëmë të ftohet. Ndërkohë hedhim në një tenxhere tjetër pjesën e mbetur të gjalpit dhe 2 lugë miell. E përziejmë miellin me gjalpin në zjarr të ngadaltë vazhdimisht që të mos bëhen kokrra. Kur mielli të ketë marrë ngjyrë të artë i shtojmë lëngun e mishit që tashmë është ftohur dhe i përziejmë vazhdimisht derisa të krijohet një masë jo shumë e trashë.

E heqim nga zjarri. Në një tas përziejmë kosin me kripën. Rrihen vezët në një enë tjetër, më pas hidhen tek kosi. Pasi të ftohet masa e miellit të skuqur me atë pak lëng mishi në tenxhere i shtojmë kosin, vezët dhe kripën.

Përzihen mirë të gjithë përbërësit dhe i vendosim tek mishi i pjekur në tavë, e spërkasim sipas dëshirës me pak piper të zi të bluar dhe e vendosim përsëri në furrë në 180° derisa sipër të krijohet një cipë e kuqërremtë.