"Të premte iki jashtë vendit"/ Berisha kërkoi shtyrje për dëshminë për “21 janarin”, SPAK: Paraqitu këtë të mërkurë

17 Nëntor 2025, 15:31 / POLITIKË ALFA PRESS
"Të premte iki jashtë vendit"/ Berisha kërkoi shtyrje

SPAK ka caktuar ditën e mërkurë, 19 nëntor, ora 09:00, për paraqitjen e ish-kryeministrit Sali Berisha për të dhënë dëshmi në lidhje me hetimet për dosjen e “21 janarit”, në cilësinë e personit që ka dijeni.

Kujtojmë se më anë të avokatit të tij, Berisha kërkoi nga SPAK të shtyjë marrjen në pyetjr, e cila ishte parashikuar më 21 nëntor, pasi nuk do të jetë në Shqipëri, por për një vizitë jashtë vendit.

Kjo është fletë-thirrja e tretë që SPAK konfirmon se i ka bërë Berishës për paraqitje. Për dy të parat, kreu i selisë blu ka deklaruar se nuk kishin shkuar dhe se adresa e tij është publike.

Kujtojmë se më 21 janar 2011, gjatë një proteste të opozitës së atëhershme përpara Kryeministrisë, u vranë katër protestues, Faik Myrtaj, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Ziver Veizi.

SPAK regjistroi procedim penal për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011, pasi Gjykata e Lartë vendosi një vit e gjysmë më parë të prishë vendimet e mëparshme të gjykatave dhe urdhëroi fillimin e hetimeve për kallëzimin e familjes Nika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.

Të afërmit e Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë para kryeministrisë në protestën e Partisë Socialiste më 21 janar 2011, akuzojnë Berishën, Bashën dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi se urdhëruan të qëllohej me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë.

Po ndodh...

ide