Irani i kundërpërgjigjet Ramës: Dëgjo qytetarët që thërrasin “Rama ik” dhe mos shpik armiq imagjinarë

9 Qershor 2026, 15:43 / POLITIKË ALFA PRESS

Irani i kundërpërgjigjet Ramës: Dëgjo qytetarët që

Përplasja verbale mes Tiranës dhe Teheranit është ashpërsuar më tej, pasi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i është përgjigjur drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama pas akuzave të këtij të fundit për dezinformim dhe luftë hibride.

Në një reagim në platformën X, Baghaei i kërkoi Ramës të “qetësohet”, duke argumentuar se ishte vetë kryeministri shqiptar ai që e kishte nisur përplasjen publike.

“Qetësohuni, zoti kryeministër. Ishit JU që e nisët këtë. Prandaj duhet të përballeni me pasojat”, shkroi ai.

Zyrtari iranian akuzoi Ramën se po përdor Iranin si justifikim për të shmangur kritikat dhe pakënaqësitë e qytetarëve shqiptarë.

Do të ishte më e mençur të tregonit respekt për inteligjencën dhe gjykimin e popullit tuaj. Ata janë mjaftueshëm të zgjuar për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta”, u shpreh Baghaei.

Ai shtoi se nëse qeveria shqiptare vendos të marrë vendime që, sipas tij, cenojnë sovranitetin kombëtar, kjo është një zgjedhje e saj, por nuk duhet të fajësohen aktorë të tjerë për reagimet që vijnë nga opinioni publik.

“Kur përballeni me zemërimin dhe kritikat e publikut tuaj, mos përdorni të tjerët si kokë turku për të shmangur llogaridhënien”, shkroi ai.

Në fund të reagimit, Baghaei iu referua protestave që po zhvillohen në Shqipëri, duke i bërë thirrje Ramës të dëgjojë zërin e qytetarëve.

Në vend që të shkruani një pamflet të gjatë me akuza të pabaza ndaj Iranit, dëgjoni njerëzit tuaj që po thërrasin në rrugë: ‘Jo korrupsionit!’, ‘Duam drejtësi!’, ‘Rama ik!'”, deklaroi zëdhënësi iranian.

Deklarata vjen pasi kryeministri Edi Rama reagoi ndaj komenteve të mëparshme të Teheranit, duke akuzuar Iranin se po ushqen narrativa të rreme lidhur me debatin për projektin në Zvërnec dhe po zhvillon një “luftë hibride” kundër Shqipërisë.

Në reagimin e tij, Rama kujtoi sulmet kibernetike që goditën institucionet shqiptare në vitin 2022, për të cilat autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë kanë fajësuar aktorë të lidhur me regjimin iranian.

Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk do të intimidohet nga kërcënimet apo fushatat e dezinformimit dhe se do të vijojë të mbrojë vlerat demokratike, lirinë dhe të drejtën e azilit.

Përplasja mes dy vendeve është intensifikuar ditët e fundit, pasi Teherani hodhi poshtë akuzat e Ramës dhe ironizoi pretendimet për përfshirjen iraniane në debatin për Zvërnecin, duke deklaruar se “ndoshta do të thonë edhe se flamingot janë agjentë sekretë iranianë”.

Po ndodh...

ide