Policia mësyn bankat serbe në veri, sekuestrohen dinarë, euro dhe monedha të tjera

13 Shtator 2024, 13:51 / KOSOVA ALFA PRESS

Policia mësyn bankat serbe në veri, sekuestrohen dinarë, euro dhe

Policia e Kosovës  ka kryer bastisje në  Bankën Popullore të Serbisë dhe degën e drejtorisë së Thesarit të Serbisë në komunën e Leposaviçit. Nga ky aksion janë sekuestruar miliona  dinare dhe dhjetëra mijëra dollarë e euro.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar; 5 milionë e 772 mijë e 313 dinarë serbë, 57 mijë e 626 dollarë amerikanë, 10 mijë e 835.00 euro dhe 2 mijë 790 franga zvicerane, dy pajisje kompjuterike  dhe dy DVR të kamerave të sigurisë”, tha policia e Kosovës.

Autoritetet kanë deklaruar se ky rast ka të bëjë me pastrimin e parave dhe keqpërdorim të  autorizimeve ekonomike, ndërsa po ashtu  janë sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme që dëshmojnë operimin jashtë ligjit të këtyre institucioneve.

Ky veprim i policisë së  Kosovës lidhet  me një  tjeter  aksion të këtij viti në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, në kohën  kur u mbyllën gjashtë objekte ilegale serbe.

Këtyre aksioneve  iu parapriu një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e saj të re, e cila ndaloi përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja që parashikon euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave, është kundërshtuar fuqishëm nga Serbia.

 

ide