Franca nuk do t’i mirëpresë migrantët nga Lampeduza italiane

19 Shtator 2023, 22:05 / KOSOVA ALFA PRESS

Franca nuk do t’i mirëpresë migrantët nga Lampeduza

Franca nuk do ta mirëpresë asnjë migrant që shkon në atë shtet nga Lampeduza italiane, ka thënë ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi ishulli mesdhetar i Lampeduzës ka regjistruar rekord të migrantëve në të ditët e fundit.

Rreth 8.500 persona kanë shkuar aty me 199 anije në mes të së hënës dhe të mërkurës së javës së kaluar, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.

Kjo situatë e ka shtyrë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen që të udhëtojë atje të dielën, dhe ta prezantojë planin urgjent të veprimit.

Sipas Darmaninit, Parisi i ka treguar Italisë se është “i gatshëm të ndihmojë në kthimin e njerëzve në vendet me të cilat ka marrëdhënie të mira diplomatike”, duke marrë shembull Senegalin.

Mirëpo ai ka thënë se Franca, “nuk do t’i mirëpresë migrantët”.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni u ka bërë thirrjeve parterëve të Bashkimit Evropian që të tregojnë më shumë përgjegjësi.

Numri i migrantëve që kanë arritur së fundi në Lampeduza është i barabartë me gjithë popullsinë e atij ishulli italian.

Këto zhvillime kanë nxitur debat të zjarrtë në Francë lidhur me migrimin.

Disa parti politike janë duke i bërë presion Parlamentit francez që të hartojë një projektligj që parasheh marrjen e masave për arritjet e migrantëve të rinj në këtë shtet.

Franca pritet të përballet me thirrjet e Papa Françeskut për më shumë tolerancë ndaj migrantëve, gjatë një vizite që pritet ta zhvillojë kreu i Selisë së Shenjtë në Marsejë, më vonë gjatë javës.

Ai do të takohet atje me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe pritet ta organizojë një meshë me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në një stadium.

ide