
Feride Rushiti nga Kosova dhe QKRMT-ja nominohen për Çmimin Nobel për Paqe

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.
Nominimin e ka bërë deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, i cili në letrën dërguar Komitetit të Institutit norvegjez të Nobelit, ka thënë se këtë vendim e ka ndërmarrë për të njohur “kontributet e jashtëzakonshme” të Rushitit dhe QKRMT-së “në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimit të plagëve të luftës të komuniteteve”.
“Çmimi Nobel për Paqe synon të vlerësojë individët, puna e së cilëve nxit paqen, drejtësinë dhe pajtimin. Feride Rushiti dhe QKRM-ja i mishërojnë këto ideale përmes përkushtimit të tyre të përjetshëm për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm, duke shëruar plagët e konfliktit dhe duke ndërtuar një bazë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe përtej”, shkroi ai.
Pas publikimit të letrës nga deputeti suedez, Rushiti tha se është e nderuar dhe shprehu mirënjohje për këtë nominim.
“Ky moment është një arritje e madhe për mua, ekipin e jashtëzakonshëm të QKRMT-së, dhe mbi të gjitha, për të mbijetuarit që kemi privilegjin t’u shërbejmë tash e 25 vjet”, shkroi ajo në Facebook.
Nominimi, tha Rushiti, tha se është frymëzim për përpjekjet kolektive, “duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit”.
Në letrën drejtuar Institutit norvegjez të Nobelit, Jacobsson tha se Rushiti ia ka dedikuar karrierën e saj adresimit të efekteve shkatërruese të torturës, dhunës seksuale dhe mizorive të tjera të luftës.
QKRM-ja, sipas tij, ka ofruar ndihmë kritike mjekësore, psikologjike dhe mbështetje ligjore për mijëra të mbijetuar “duke u siguruar që zërat e tyre të dëgjohen dhe nevojat e tyre të përmbushen”.
“Avokimi novator i Rushitit në njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ka transformuar diskursin kombëtar në Kosovë. Përpjekjet e saj të pareshtura kanë çuar në krijimin e kornizës ligjore në njohjen e këtyre të mbijetuarve si viktima civile të luftës, duke iu mundësuar atyre qasje në reparacione. Kjo arritje historike, e arritur më 2017, ka sjell dinjitet dhe mbështetje financiare për shumë të mbijetuar dhe është shpresë për drejtësinë e pasluftës në mbarë botën”.
Ai po ashtu tha se Rushiti, përveç punës së saj me të mbijetuarit e dhunës seksuale, ka arritje të mëdha edhe në trajtimin e të burgosurve dhe të ndaluarve, duke avancuar standardet ligjore dhe etike në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Më 2018, Rushiti, që udhëheq QKRM-të, ishte nderuar me Çmimin për Guximin e Gruas, të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit. Çmimi iu dha për të nderuar ndikimin e punës së saj në jetën e të mbijetuarve dhe për rolin e saj si udhëheqëse në botë për avokimin për të drejtat e njeriut.
Feride Rushiti ka themeluar QKRM-në më 1999 me misionin për të ofruar trajtim dhe rehabilitim për viktimat e torturës në Kosovë. Kjo qendër po ashtu promovon respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë dhe të parandalimit dhe çrrënjosjen e torturës dhe të gjitha formave të keqtrajtimit.
Ndryshe, deputeti suedez Magnus Jacobsson, më 2020 kishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe Kosovën, Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.
Për këtë çmim, më 1996 ishte nominuar edhe presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ndërkaq, më 2013, u nominuan udhëheqësit e Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Një herë për Berishën tani për veten, "8 Janari" i dytë i Ramës!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128