AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni poezitë e pabotuara të vëllimit në proces "Mali i mallit tim" nga Agim Baçi!

20 Korrik 2024, 09:41 / JETË NGA ALFAPRESS.AL

AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni poezitë e pabotuara të vëllimit

Agim Baçi - Pedagog, kritik letrar, poet, gazetar dhe analist i njohur

Cikli poetik:

Poezi të shkëputura nga vëllimi në proces "Mali i mallit tim":

ËSHTË HARE TË TË DUASH TY

Mbyll sytë duke ditur se sa hare është të të duash ty.
Ti je një hare që më kalon si frymëmarrje,
dhe unë e ndej që më je në çdo damar.

Dashuria për ty është një hare që s'ma rrëmben askush,
sepse ti je një ëndërr që të shoh veç unë.
Zemra ime ngarkohet me ty netëve të gjata,
e çdo mendim për ty ndez dritë për të parë atë që është veç jona.

Hare nuk është të bësh ç'të duash me dashurinë,
por të dish ç'të bësh në çdo çast,
pa i dhënë kurrë fytyrë braktisjes,
edhe kur ajo u rri ngarkuar
karvanit të çasteve pa ty.

...Më fal, hareja ime, që nuk kam fjalë për ikjen,
por piktura e mungesës tënde nuk më qëndron në asnjë telajo mendimesh...

Për ikjen fjalët janë të pajeta,
ama ardhjet,
veç ardhjet, kanë fytyrën tënde.

UDHËT DHE ZEMRA

Kur pyetjet më pushtojnë mendjen, mbështetem te zemra,
kur më pushtojnë rrahjet në gjoks,
mendjes i kërkoj të jetë rojtare,
që asnjë rrahje të mos ngutet në mendime.
....Zemra e pyet mendjen për udhët,
por udhët pa zemrën janë thjesht metra.

ATDHEU PRET!

Betejave nuk mbërrita kurrë në kohë,
duke premtuar se do jem i përpiktë herën tjetër.
"Atdheu pret!"- i thoja vetes.
E pastaj, i bindur, shtoja me zë të lartë-
"Mungesa ime nuk pengon askënd!"

Ashtu si shumë të tjerë, dhe unë, jo pak herë
i jam drejtuar fjalëve të zgjedhura
për Atdheun,
duke bërë plot premtime dashurie,
duke besuar se kështu duhet,
gjersa kushtrimi jepet për të qenë gati për të!

Gjatë bisedës me miq, dëgjoj të njëjtin refren
përballë pasqyrës së justifikimeve,
teksa i besojmë gënjeshtrës që
ja themi vetes me zë të lartë- “Unë dua ta bëj,
por edhe sot nuk mundem...
Fundja, mungesa ime nuk do vihet re edhe këtë herë!”

Pastaj, mbrëmjeve vonë,
duke parë TV, komentojmë atë që u vesh
e doli për t'iu përgjigjur thirrjes tënde, Atdhe.

Krenohemi që arrijmë t'i dallojmë fjalët e thëna nëpër dhëmbë
në çastet kur ai la pas shtëpinë e familjen.
Shohim se mos gjejmë gjeste kundërshtie
kur ai hesht dhe drejton gjithë qenien e tij,
sapo dëgjon fjalët e para të himnit.

Të zemëruar pasi e kemi parë në TV,
atë që shau nëpër dhëmbë,
teksa mbërrinte në udhën tënde, Atdhe,
bashkë me shumë të tjerë kërkojmë më kot
që pulti të shuajë pamjet e tij
kur nxiton udhëve të tua..

....

Atdheu i fal justifikimet që i themi me zë të lartë!...
Atdheu ka gjithmonë kohë për të vdekshmit,
që të mësohen të jetojnë!

MUZEU I DËSHIRËS PËR TY

Jam muze i dëshirave për të qenë me ty...
Lëkura është i vetmi mur,
kur varen gjithë portretet e kohës brenda nesh.

Relievi i dëshirës për të të parë,
kërkon veç zemrën tënde për kornizë.

Fytyra jote në sytë e mi,
është portet i së pashmangshmes.
Çdo mendim ka ngjyrën e vet,
pikturuar në kanavacën e gjesteve të tua.

Shkallët e fjalëve të dashurisë,
duhet t'i ngjisësh me aq frymë
sa i mjafton një puthjeje
të qëndrojë në buzët e tua!
....
Ti, veç ti, mund ta hapësh këtë muze,
me një vështrim.

PADASHURIA

mungesa e dashurisë është një teh i ndryshkur,
ngulur në zemër të fjalëve,
që vërshon nëpër damarë mëdyshjesh.

Padashuria është mungesë frymëmarrje,
që mpak gjoksin gjersa brinjët
ngjeshen të gjithë në harresë çastesh.

Mungesa e dashurisë është vdekja pa varrezë,
pa lule, pa lotë,
ku askush nuk thotë asnjë fjalë lamtumire,
e as psherëtima dhimbjeje.

*Të gjitha të drejtat e autorit janë të rezervuara nga Alfapress.al

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128