AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni poezitë e pabotuara nga Gabriela Mujaj
Pak përshkrim biografik se kush është Gabriela:
Gabriela Mujaj ka lindur në Malësi të Madhe.
Aktualisht banon në Vjenë, Austri, ku punon dhe studjon Histori Arti dhe Arkitekturë.
Është diplomuar në degën Infermieri të Përgjithshme dhe Mastër Shkencor.
Pasionet e saj janë Arti, Letërsia, Psikologjia, Filozofia etj.
Shkruan prozë dhe poezi në gegnisht.
Cikli poetik i pabotuar më parë:
NATA S'KA SY POR MURET KAN' GOJË
Veshët ndëgjojnë ma shumë se ditën,
Lyp kam nëpër mahallë tan' vjetin
Nji pal veshë,
Se gjith' ditën e lume i thrret shpirti shpirtit tand,
E nuk ndëgjon.
Lulkuqja qan prore
në vetminë e saj në mal.
Dhe gurët nuk janë ma gurë
Para syve të d'lirë të lules,
E shpirtit saj fminor.
Ata përmallen e bien në gjumë,
Dhe çohen të nesërmen me zemër në krahnor.
Lulkuqja qan prore
Atje në vetminë e saj në mal,
Dhe gurët nuk janë ma gurë,
Por zemër e ngurtsueme që shkrihet.
GRUEJA NË LUM'
Syni e pa synin në dritë
Dhe qau.
Perdja e bardhë
Kurrë ma shumë nuk u shndrit,
A thue ish' petk i Zotit.
Ajo pa veten për të fundit herë
Në pëllambën e saj prej fmijë,
E ju kujtue kur një fallxhore
Ja pati kqyr dorën pa dëshirë.
Syni e pa synin në dritë,
dhe qau fort për të fundit herë,
Mandej mori rrugën për në Danub.
E ai nuk ish' ma i njajti lum,
Aj u shejtnue mbas asaj dite
Prej trupit të saj.
SI E HANGRI NJI DHELPËN DASHNIN' TONË
Na kena me ndejt prapë bashkë
Nji ditë,
Dashnia nuk hup kurrë,
siç nuk hup as e vërteta.
Kem' me u shtri mbi bar' të njomë
Nan nji Qiell të shterrun prej viteve pa dashni,
Tue kqyr si kalojnë arroplanat bosh
Mbi krena tanë,
E tue lyp gëzimet e humbuna
Prej nji pritje të stërgjatë.
Ku kiem tan' kta vjet?
Ka me qenë pyetja që s'kem me guxue m'e ba.
E,
Me za të marrun,
Kena me kallzue nji prrallë të vjetër,
Se si e hangri nji dhelpën dashnin' tonë.
PASQYRË
Zilja e zgjimit ra plot tri herë.
Trupi jem njehi i bardhë si muret e dhomës.
Mbi dysheme ndjeu vetja hapat e vetes,
Tue ec para pasqyrës.
Për të parën herë,
U tuta prej vetmisë përballë.
Kurrë ma parë vetja me veten
Kshtu në sy s'ish pa
S'ish pa kurrë ma parë...
E u dridh fati dhamb për dhamb,
Kur e zbulova se lidhun për qafet
e kisha pas.
...lidhun për shpirtit, Ty.
NJI DASËM NË KOSOVË
Kur Zoti bani be pasha kohën,
E ndjeva gurin e kujtesës
Si lëshohej mbi krye tem.
Pa ty,
M'krrus shpinën pesha e saj.
Prej frigës se mos kurrë
s'kam me t'harrue,
I urova vetes demencën,
Teksa grisja plot dymbëdhjetë
kalendarë, tue shpresue se muj
me e fshi jetën.
Vitet e mia u renden,
si njerzit paradite për Xhuma.
Nëpër sytë e mij kanë
Kalue shumë re të zeza,
Me to asht mbush nji Dri i Kuq.
Aty lahen veç njerzit e dhimbes
së madhe të dashnisë.
Tupanat i urrej për vdekje,
ata më gjuejnë si çekanë mbas kreje.
Tingujt e nji kangë,
më kujtojnë fatin e keq që më pati ndjell
nji korb të shtunën në darkë,
E vala e zogjve kur pushton qiellin
Më kujton krushqit në rradhë,
Si anmiq...
Ti rrok dy buzë me shijen e dekës
Dhe shtrihesh afër nji trupi të akullt
Si lëkurë gjarpni,
Kurse unë bie me fjetë me andrrën e madhe
Ku shoh sikur dasmat s'i urrej ma.
*
Sa kohë duhet me prit që të shkojmë përtej k'saj bote,
Ku thonë se ata që duhen, munden me qenë prapë bashkë.
*Të gjitha të drejtat e autorit janë të rezervuara nga Alfapress.al
Doktor Fisheri dhe Doktor Penxhereja
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128