Takimi me Kadarenë që nuk pati kohë të ndodhte

8 Korrik 2024, 13:45 / IDE NGA DIONIS PRIFTI

Takimi me Kadarenë që nuk pati kohë të ndodhte

Në datë 21 qershor, u shpalla fitues i Çmimit Kadare 2024, dhe në një bisedë pas ceremonisë, botuesi Henri Çili më tha që siç edhe ishte tradita, do të takoheshim së shpejti me Ismailin…

Nuk pati kohë të ndodhte.

Takimi im i parë me shkrimtarin është sërish në lidhje me këtë çmim letrar që mban emrin e tij.

Tre vite më parë kisha aplikuar me një përmbledhje me tregime, “Bar Sahara”, dhe isha përzgjedhur në dhjetëshen e Çmimit Kadare. Këtë përzgjedhje e mora si shenjë të mirë dhe aplikova disa muaj më vonë në konkursin e QKLL për autorët e rinj. Dorëshkrimi fitues do të botohej.

Librin e kisha printuar vetë paraprakisht dhe kisha disa kopje në shtëpi, meqë tregimet i redaktoja herë pas here. Në një nga këto ditë, isha duke ecur në bulevard kur shoh në një stol në parkun përballë hotel Rogner, Ismail dhe Helena Kadare.

Për një çast mendova se do të ishte bukur që një kopje të dorëshkrimit të librit tim që kishte qenë te Çmimi Kadare, ta kishte edhe ai. Isha me biçikletën në dorë.

Llogarita se mund t’ia dilja të shkoja deri në shtëpi, të merrja një kopje dhe ta gjeja sërish në atë stol. Kështu do ngjante dhe spontane, do i thosha se kishte qenë një ogur i mirë aplikimi te konkursi që mbante emrin e tij.

Shkrimtarin e kisha hasur shpesh te Juvenilja ku dilja për drekë gjatë pushimit të punës, po nuk kisha dashur ta bezdisja. Një takim rastësor në rrugë do të ishte më i përshtatshëm.

I hipa biçikletës, merret me mend që e ngava shpejt, mora librin në shtëpi dhe shkrova pas kopertinës diçka të tillë “Faleminderit për frymëzimin”, së bashku me kontaktin tim, në mënyrë që mos t’i hiqja atij mundësinë të më shkruante lavdërimet e tij për këtë libër tejet të veçantë, etj., etj. Prapë me nxitim deri te bulevardi, gjeta me sy stolin.

Po patjetër që ata nuk ishin, kishin kaluar shumë minuta. Mora për nga rrugica e bllokut ngjitur me parkun, nuk ishin. Jo, aty ishin, po mezi i dallova. Shkova deri tek ata, i kërkova ndjesë me mirësjellje, i thashë që isha përpjekur ta bëja një takim të rastësishëm, por në fakt kisha bërë cirk me biçikletë nëpër Tiranë që t’i arrija.

I dhashë një kopje të librit duke i thënë diçka të tillë se me këtë dorëshkrim kisha aplikuar në konkursin që mban emrin e tij dhe ishte libri im i parë dhe isha përzgjedhur në dhjetëshe dhe uroja që të ishte një ogur i mirë për vazhdimësinë dhe do doja t’ia dhuroja një kopje të dorëshkrimit, etj., etj.

Ata ishin të sjellshëm, Helena më falënderoi, Ismaili buzëqeshi duke thënë “Bar Sahara...”, duket sikur i pëlqeu titulli. Me ta ishte dhe një zonjë tjetër që më pyeti nëse doja një foto, i thashë se nuk qe nevoja, nuk doja t’i shqetësoja.

Pas një jave mora lajmin nga QKLL se isha fituesi i konkursit dhe libri me tregime “Bar Sahara” u botua disa muaj më pas.

Vërtet që ka qenë një ogur i mirë për mua mbiemri Kadare. Ashtu siç edhe librat e tij kanë qenë një ogur i mirë për të gjithë letërsinë shqipe.

Mbaj mend shembullin klasik që mësonim në shkollë për të ilustruar metoniminë: “Po lexoj Kadarenë”. Letërsia shqipe do të jetë përherë e lidhur me mbiemrin Kadare, dhe shqiptarët do e përdorin gjithmonë metoniminë “Po lexoj Kadarenë”.