Quo vadis PD?

25 Maj 2023, 16:23 / IDE ALBI XHUNGA

Quo vadis PD?

Nuk më kishte qëlluar ndonjëherë të bëja një shkrim të dytë me një titull që e kisha përdorur më parë. Por situta e PD dhe paqartësia ulëritëse e një pjese të lidershipit bën që kundër të gjitha pritshmërive gjendja kritike të vazhdojë. Kishte dy armiq kryesorë që dëshironin eleminimin me gjithsej të kësaj partie nga skena politike shqiptare, binomi Berisha-Meta dhe mazhoranca rilindase. Plani dështoi me sukses.

PD i mbijetoi furtunës falë kurajos dhe idealizmit të dhjetra mijëra qytetarëve të lirë. E megjithatë duket se votën e 14 majit jo të gjithë e lexojnë njësoj dhe kjo do të jetë përcaktuese për linjën që PD do të ndjekë në të ardhmen e afërt. Atë që u fitua në furtunë, mundet që shkujdesur të humbet në kohë të bukur me diell.

Në qiellin e nxirë nga dominimi të korruptuarve, pati megjithatë një rreze shprese. Ato 103 mijë vota të qytetarisë së djathtë të këtij vendi treguan jo vetëm se Partia Demokratike i mbijetoi furtunës.

Ato vota treguan se vlerat akoma nuk janë zeruar në këtë shoqëri. Nuk mund të gjesh mes atyre idealistëve të djathtë asnjë naiv, ëndërrimtar apo pragmatist që mendonte se duke dhënë votën e tij për një ideal parimor, do të mund të përfitonte diçka. Çdonjëri prej tyre e dinte se PD nuk kishte asnjë shpresë për fitore. Edhe në dhjetra bashkitë ku PD nuk nxori kadidat, mori dhjetra mijëra vota idealistësh të djathtë.

Ky korpus njerëzor doli e votoi idealin në një palë zgjedhje ku nuk pati fushatë në kuptimin e parë të fjalës. Në një palë zgjedhje ku televizionet i dhanë ‘’opozitës reale’’ dhe non gratta-s kohë televizive më shumë se edhe vetë mazhorancës dhe censuruan PD-në zyrtare megjithëse me ligj do të duhej të trajtohej si forca e dytë politike në vend.

Në një palë zgjedhje ku KQZ në mënyrë kriminale nuk lëvroi fondet, duke e ditur se kështu dëmtonte vetëm atë forcë politike të papërfshirë në korrupsionin 30 vjeçar, që nuk ka para nën dyshek e që nuk financohet nga oligarkia. Në një palë zgjedhje ku kësaj partie i janë uzurpuar zyrat dhe ministri i drejtësisë (i drejtësisë, jo i buqësisë) lau duart si Ponc Pilati, duke thënë se është një çështje e brendshme e tyre. Njësoj sikur në një çift të ndarë burri dhunon ish gruan, por policia i thotë se kjo nuk është puna jonë, për sa kohë ata dikur kanë qenë të martuar.

Më 14 maj shqiptarët u thirrën të votojnë ofertat politike. Oferta e Edi Ramës ishte të ecim përpara, por në drejtim të paditur. Ashtu siç kemi ecur këto 10 vjet të qeverisjes rilindëse.

Dmth jo të ecim përpara drejt një destinacioni të caktuar, por të ecim përpara për të ikur nga ata. Pra para partizanë, se mbrapa ka gjermanë. Qeverisja e atypëratyshme vazhdon. Na bie pandemia, merremi me pandeminë. Na bie tërmeti, merremi me tërmetin. Fatkeqësitë i përdorim për të justifikuar dështimet. Edhe duke vjedhur nga pak, natyrisht. Askush nuk është në gjendje të thotë sot se cili është vizioni politik i Edi Ramës.

Ai qeveris, sepse opozitarizmi është marrë peng për axhenda personale. Ai e di këtë dhe i përkrah. Sallat e foltoreve iu dhanë Sali Berishës gratis nga bashkitë e majta. Vetë ai e ka pranuar publikisht këtë.

Televizionet e kontrolluara nga mazhoranca dhe oligarkia i dhanë non gratta-s më shumë kohë televizive edhe se vetë kryeministrit. Për sa kohë ata janë aty, ai mund të qeverisë i qetë. Por ata nuk do të jenë gjatë aty. Zgjedhjet e 14 majit ç’montuan shumë gënjeshtra, shumë propagandë.

Tani panorama është e qartë për këdo. Kush është shitur, kush është blerë dhe cilën opozitë preferon të ketë përballë kryeministri.

Oferta e binomit Berisha-Meta ishte një axhendë izolacioniste. Të izoluar totalisht nga çdo faktor perëndimor, ata duan të izolojnë Shqipërinë për t’iu imponuar faktorit ndërkombëtar. Një ide sa e ligë aq edhe qesharake. Të përfytyrosh se një shtet me popullsi sa një lagje e Parisit do t’i imponohet superfuqive dmth se ti jeton në një realitet paralel. Ata në fakt jetojnë në një realitet paralel, në një relalitet virtual.

Ata mendojnë se janë në politikë, por ata nuk janë në politikë. Kjo ide është utopia më e madhe e shprehur ndonjëherë në skenën politike shqiptare. Por i mbyturi kapet edhe te flokët e tij për të shpëtuar. Thanë se do t’i dilnin zot Shqipërisë, por tani rezulton se nuk i kanë dalë dot zot as vetes së tyre, pasi u paskan vjedhur votat. Ata janë hiena politike që e ndjejnë erën e gjakut. E shohin se Edi Rama po bie.

Aferat korruptive nuk menaxhohen më. SPAK do të detyrohet të veprojë. Lista e pentitove eventualë është shumë e gjatë për t’u mbajtur nën kontroll. SHBA-të u distancuan nga kryeministri, duke thënë se marrëdhënien e kanë me popullin shqiptar. Por ata i tërbon fakti se nuk përfitojnë dot, pasi rrefuzohen nga shqiptarët dhe rrefuzohen nga faktori ndërkombëtar. Do të enden si çifuti nëpër shkretëtirë deri sa të treten në pluhurin e harresës.

Në Partinë Demokratike të përgjumur që nga largimi i Lulzim Bashës pati zhvillime interesante. Pas debateve të brendshme dhe një mbledhje kryesie, PD doli me vendimin për të marrë pjesë në zgjedhje me vetëm 14 kandidatë. Një vendim i pakuptueshëm, natyrisht. Por kur mendon se variant tjetër i propozuar ishte të dilej fare pa kandidatë, kuptohet se në momentet e fundit ishte arritur një zgjidhje emergjence.

Një zgjidhje e diktuar nga goditjet që kjo parti kishte marrë nga kundërshtarët që donin shkrirjen e saj, por edhe një zgjidhje që i imponohej nga disa faktorë të brendshëm me axhenda të dyshimta. Këtu duhet përshëndetur kurajoja e kryetarit në detyrë të PD, z. Enkelejd Alibeaj, i cili ngriti flamurin e partisë me një ofertë të qartë anti-berishiste, anti ish komuniste, pro perëndimore.

Duhet përshëndetur gjithashtu kurajoja e kandidatit për Tiranën, z. Roland Bejko, i cili pranoi një mision të pamundur dhe bëri një fushatë titanësh me mjete liliputësh.

Duhet përshëndetur kurajoja e të gjithë kandidatëve të tjerë. Rezultati i PD në këto zgjedhje ishte i mrekullueshëm, po të kemi parasysh se partia kishte ikur faktikisht nga skena politke dhe se fushata u sabotua, jo vetëm nga KQZ e Edi Ramës, jo vetëm nga televizionet e lali Erit e të oligarkëve, por fatkeqësisht edhe nga një pjesë e mirë e eksponentëve të lartë të partisë. Krah Enkelejd Alibeajt dhe Roland Bejkos në Tiranë unë kam parë vetëm dy deputetë, Oriola Pampurin dhe Kreshnik, Çollakun.

Mund të ketë pasur edhe të tjerë. Iu kërkoj ndjesë. Por unë nuk i kam parë. Ndërkohë që krah kandidatëve të Foltores kam parë shumë më shumë.

Ato 103 mijë vota idealistësh u morën me këtë ide. Me idenë e ndarjes nga berishizmi dhe formimit të një partie të djathtë, të pastër ideologjikisht, pro perëndimore dhe një partie normale ku çdo anëtar ka aksionet e tij.

Nëse këta votues do të kishin dashur bashkimin e partisë, ata do të votonin kandidatët e Foltores për kryetar (siç u kërkohej nga disa me nder deputetë) dhe Foltorja do të kishte marrë disa bashki më shumë. Por kjo nuk ndodhi. Madje Foltorja u rrefuzua edhe nga rreth 300 mijë votues të djathtë, të cilët janë votuesit potencialë të Partisë Demokratike të reformuar, por që nuk dolën të votojnë edhe si rezultat i mesazheve kontradiktore të disa deputetëve. Pra 103 mijë votat e idealistëve u morën me një ofertë politike të qartë. Ata votuan një ide të një partie që luante për ekzistencë.

Ato vota garantuan jo vetëm ekzistencën, por janë dhe baza ideale për thithjen e atij elektorati të djathtë që votoi i gënjyer Foltoren dhe të atij elektorati që ndenji në shtëpi duke pritur që ujrat e turbullta të opozitës të kthjellohen. Kjo ide dhe ato 103 mijë vota janë edhe një bazë e fortë për të tërhequr elektoratin gri, pa të cilin asnjë opozitë nuk mund të vijë në pushtet. Fatkeqësisht këto nuk mund t’i kuptojnë njerëz pa profil politik, të emëruar apo jo deputetë. Këto nuk mund t’i kuptojnë as delet politike që kanë nevojë për bari me kërrabë të fortë, sepse nuk janë mësuar të ecin vetëm.

Por kujdes! Këto nuk janë vota trushpëlarësh me të cilat mund të bësh pazarin e rradhës. Këto vota nuk mund t’i marrësh për të mirëqena në zgjedhjet e ardhshme.

Asnjë komplot pallati e as një politikë vrimash nuk mund të bëhet mbi ato vota. Nëse do të ketë vullnet për ngritjen e një partie në kuptimin e plotë të fjalës, ajo duhet të jetë së pari një parti ku meritokracia fuknsionon. Një parti ku secili ka aksionet e tij dhe shpërblehet për kontributin e dhënë. Përndryshe e gjitha mund të shpërbëhet si një kështjellë rëre.

Këtu duhet të ndalemi pak. Cili ishte shkaku i ndarjes së Partisë Demokratike? Përjashtimi i Sali Berishës nga partia pas shpalljes së tij non gratta. Lulzim Basha e largoi përkohësisht nga grupi parlamentar me një vendim kurajoz të tijin si kryetar i partisë. Por duke parë sjelljet e Berishës, ai u përjashtua nga partia dhe ky nuk ishte më një vendim individual. Në këtë vendim ish kryetari Basha pati mbështetjen e shumicës së kryesisë, shumicës së grupit parlamentar, shumicës së kryetarëve të PD në rrethe dhe shumicës së Këshillit Kombëtar. Ky është vendimi më kolegjial që është marrë ndonjëherë për përjashtimin e dikujt në historinë e partive politike në Shqipëri.

Nga kush përbëhet sot grupi parlamentar i PD? Historia e ndarjes është e gjatë për t’u trajtuar në formatin e një shkrimi gazete. Por pas përjashtimit pati rendje deputetësh e antarësh kryesie tek ai grup ku besonin se po shkonte forca dhe ku do të ishte e ardhmja e partisë. Shumë prej tyre kishin votuar në kryesi e në grup parlamentar pro përjashtimit. Puna e tyre.

Gjithkush në jetë e në politikë bën zgjedhjet e tij. Ata nuk mund t’i quash apriori anti-perëndimorë. Shumë prej tyre shkuan atje për të garantuar një mandat deputeti në zgjedhjet e ardhshme.
Po ata që mbetën? A mund të themi se pjesa e mbetur është pjesa parimore e politikanëve që janë pro perëndimorë dhe duan një parti pa berishizëm? Natyrisht që jo.

Mes tyre ka oportunistë, që nuk kanë asnjë parim, por thjesht vunë bast për kalin fitues duke menduar se punën do ta bënin amerikanët. Mes tyre ka ëndërrimtarë, të cilët ëndërrojnë një bashkim me krahun tjetër dhe për momentin e mbajnë mirë me të gjithë.

Mes tyre ka njerëz pa profil politik, të cilëve e ke të vështirë t’ua lidhësh fjalinë e parë me të tretën dhe të pamundur t’i dëgjosh pa qeshur me lot. Janë dhe oportunistët e “papozicionuar” të cilët ende presin të shohin kush do të fitojë që të bërtasin fort “rroftë mbreti”.

Pas dorëheqjes së papritur të Enkelejd Alibeaj nga posti i kryetarit të komanduar të partisë dhe nga kreu i grupit parlamentar, të lindin disa pyetje; pse do të tërhiqej në kohë paqeje ai që e mbajti flamurin të ngritur në furtunë??? Të tërhiqej si kryetar humbës?

Po a ishte vërtet humbës? Kush është ai burrë sot që mund të thotë se objektivi i PD në këto zgjedhje nuk ishte mbijetesa, por fitorja totale? Ajo që ndodhi ishte më shumë se mbijetesë. Ajo që ndodhi është baza e së ardhmes.

Një parti që nuk vlerëson kontribuesit nuk meriton të quhet e tillë. Unë nuk e di kthehet apo jo Lulzim Basha. Unë nuk e di çfarë ambiciesh ka Enkelejd Alibeaj. Por unë di se kontribuesi i parë i kësaj force politike është Lulzim Basha me aktin kurajoz të përjashtimit të Sali Berishës. Mund të bënte dhe të kundërtën. Të mos bënte asgjë. Do të ishte akoma kryetari i PD-së së bashkuar. Do të ishte më i miri, më i ndershmi, më i zgjuari, por PD dhe opozitarizmi do të shkonin për skrap. Kontribuesi i dytë është Enkelejd Alibeaj. Ai mbajti flamurin ngritur në kohë furtune. Edhe ai mund të bënte ndryshe. Të mos bënte asgjë. Nuk do të kishte nevojë të dorëhiqej sot. Por nëse ai nuk bënte asgjë, PD mund të shuhej. Ato 103 mijë vota natyrisht që nuk janë vota personale të Enkelejd Alibeajt. Ato vota i mori ideja. Por flamurtari i parë ka meritat e tij. Tek e fundit ai u bë rrufepritësja e parë, që minjtë të mund të vegjetonin e të komplotonin vrimave. Natyrisht pa harruar kontribuesit e tjerë që iu kanë qëndruar afër. Pa i përmendur me emra, sepse janë shumë.

Logjika të thotë se PD do duhej të ripozicionohej pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 majit. Koha e paqartësisë duhet të merrte fund. Eksponentët e lartë të partisë do duhet të dilnin t’i flisnin publikut për vizionin e partisë në të ardhmen. Kohës së korit të violinave pa dirigjent, i cili tregonte demokraci të brendshme si në asnjë parti tjetër, por edhe kakofoni dhe mesazhe me doza të larta ambiguiteti, që nga axhendat e pista apo nga idiotësia e ç’orientuan votuesin demokrat.

Sikur mesazhet politike të ishin më të qarta, rezultati i PD do të ishte më i mire. Pra kakofonisë do t’ia zinte vendin koha e qartësisë politike, koha e thirrjes ndaj popullit opozitar për t’iu bashkuar një projekti të ri politik nën një logo tradicionale. Por kjo nuk duket gjëkundi.

Pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt si pasojë e një puçi pallati, në formë të dyshimtë u zgjodh me shpejtësi z. Gazment Bardhi si kreu i grupit parlamentar, ndërkohë që zv.kryetarja e fundit e PD, znj. Jorida Tabaku, ‘’po mendohet’’ nëse do ta pranojë apo jo postin e kryetarit të komanduar. Dmth postet kryesore drejtuese të PD po bien në duart e dy njerëzve, për të cilët më e pakta që mund të thuhet është se kanë qenë pak aktivë në zgjedhjet e 14 majit.

Dy njerëzve që kanë tendencë të flirtojnë me krahun tjetër. Askush nuk mund t’i quajë tradhtarë, natyrisht. Por qasjen mund t’ua kritikojmë.

Jorida Tabaku është sjellë në këto zgjedhje pak a shumë si mbretëresha e ndjerë e Mbretërisë së Bashkuar. Askush nuk e di çfarë mendonte politikisht mbretëresha Elizabetë. Duke qenë në pozicionin e monarkut në kohë demokracie, madhëria e saj nuk i shprehte pikëpamjet politike për të mos influencuar subjektet e saj. E vetmja herë në jetën e saj që mbretëresha u shpreh politikisht, ishte përpara referedumit skocez, ku iu drejtua skocezëve me një fjalë të vetme; ‘’Reflektoni’’.

Jorida Tabaku i ndoqi zgjedhjet në një distancë që do i kishte hije një mbretëreshe. Ajo flet pak më shumë se e ndjera Elizabetë, por frazat e saj janë klishe; ‘’e demokratëve, me demokratët, për demokratët’’.

Kjo zonjë e nderuar (sepse duhet thënë që është një zonjë e nderuar) mund të jetë nesër drejtuesja e Partisë Demokratike. Ajo i mohoi përkrahjen Roland Bejkos duke mos iu bindur një vendimi kryesie, por nuk është se ka përkrahur haptazi kandidatët e Foltores.

Minimumi që mund të thuhet për këtë drejtuese eventuale të PD-së së nesërme është se nuk ka shprehur së fundmi qartësi politike. Natyrisht që nuk ka asnjë meritë në 103 mijë votat e marra nga PD. Nëse mbretëresha Elizabetë iu tha një fjalë skocezëve, znj. Tabaku nuk iu tha as edhe një gjysmë fjale demokratëve gjatë fushatës, por sot nuk e ka për gjë të kritikojë rezultatin. Atë rezultat që është kapitali i vetëm politik që ka PD, falë të cilit shumë deputetë kanë dale nga vrima dhe krekosen nëpër studio televizive.

Kreu i ri i grupit parlamentar ka një paqartësi politike ulëritëse.

Ai ende e sheh partinë si një të tërë, thua se çka ndodhur deri më sot të ka qenë një debat i zakonshëm brenda një force normale politike. Edhe kur pyetet nëse duhet të jetë Sali Berisha pjesë e grupit parlamentar të PD, ai nuk është i prerë në përgjigje.

Z. Bardhi thotë se nuk ka pasur një diskutim të tillë deri tani dhe se ai duhet të marrë kohën e tij për të pasur një përgjigje të qartë, pasi në kohën e intervistës tek Fevziu ai kishte vetëm 24 orë që ishte bërë kryetar i grupit parlamentar. Këtu ‘’harrohet’’ se Sali Berisha është përjashtuar me votën e të gjitha forumeve të partisë. Z. Bardhi i lejon vetes (jo për herë të parë) të mbajë një qëndrim personal që bie në kundërshtim me forumet e partisë ku ai aderon.

Z. Bardhi sugjeron se Foltorja duhet të kërkojë një komison parlamentar për ‘’vjedhjen e zgjedhjeve’’ dhe për këtë duhet të mbeshtetet nga grupi parlamentar i PD. Ulëritëse!
Që Edi Rama është një hajdut zgjedhjesh, kjo nuk ka pikë dyshimi. Por në zgjedhjet e 14 majit ai nuk kishte nevojë të manipulonte.

Me një opozitë të përçarë dhe me dy fosile politike si Berisha dhe Meta përballë, ai e kishte fitoren të sigurt. Me këtë lëvizje z. Bardhi jo vetëm e i jep oksigjen një politike nga e cila të djathtët shqiptarë u distancuan në masë, por bie ndesh dhe me qëndrimin e mbajtur deri tani nga PD, sipas të cilit rreth 300 mijë votues të djathtë nuk dolën të votojnë duke rrefuzuar politikën e vjetër.

Pra sipas z. Bardhi këta votues të djathtë nuk braktisën politikën e vjetër, por ata u penguan nga Edi Rama të dalin të votojnë binomin Berisha-Meta.

Dmth në të gjithë qëndrimin politik të z. Bardhi nuk ka ndarje të qartë nga Berishizmi, çka ka qenë dhe shkaku i vetëm i ndarjes së PD, por ka flirt dhe bashkëpunim me berishizmin. Z. Bardhi thotë se ndahet parimisht nga Sali Berisha, por filozofia e tij politike për bashkëpunim me palën tjetër, e cila është rreshtuar qartësisht pas Sali Berishës, shkon më shumë në dhënien oksigjen non gratta-s për axhendat e tij politike dhe së paku e lë Partinë Demokratike në ambiguitet dhe të papozicionuar qartësisht.

Deklarata se ai nuk do ta kishte problem të ulej e të negocionte me Sali Berishën, do të thotë se atë që nuk e njeh asnjë faktor i jashtëm apo i brendshëm, e njeh Gazment Bardhi. Ky është kthim në pikën zero.

Çfarë duhet të ndodhë me urgjencë në Partinë Demokratike është riorganizimi i partisë në të gjitha nivelet. Ndërtimi i strukturave dhe përditësimi i listave të antarësisë. Zgjedhjet për kryetar dhe për forumet e reja nuk mund të bëhen, siç thotë z. Bardhi, me listat ekzistuese ku janë pjesë dhe mbështetësit e Berishës, pasi në këtë mënyrë mbështetësit e tij mund të marrin pjesë në zgjedhjet e brendshme dhe të vendosin rezultatin. Listat e PD duhet të përditësohen, duke kontaktuar çdo antar të partisë, i cili do të duhej të qartësonte pozicionin e tij politik dhe të ishte koshient se po bëhet pjesë e një projekti të ri.

Partia nuk ka pse të ketë 100 mijë anëtarë, kur Partia Konservatore në Angli ka 170 mijë anëtarë. Kjo është qesharake.

Siç janë qesharakë kuvendet kombëtare me mjëra njerëz, të cilët janë të paidentifikueshëm dhe nuk ka asnjë sallë që i nxë në Shqipëri. Pra më shumë anëtarë se kongresi i PKK kineze. Shumë nga anëtarët që figurojnë në listat e PD u kanë hipur me kohë autobusëve drejt Gjermanisë. Anëtarët e partisë duhet të jenë njerëz të angazhuar që kanë kontakt me partinë, jo thjesht emra në lista që thirren një herë në katër vjet.

Pas riorganizimit, të bëhen zgjedhje dhe të vendosin forumet e partisë për linjat politike. Kështu merr fund kakofonia e një orkestre pa dirigjent. Nëse deputetë aktualë kanë qëndrime që nuk përputhen me linjën e partisë, të largohen nga partia.

Më mirë një grup parlamentar i vogël dhe kompakt, sesa politika kulisash, duke e mbajtur mirë me ta që të mos shkojnë te Berisha. Votat nuk i kanë deputetë të caktuar dhe aq më pa këta që flirtojnë me të dyja kampet.

Votat i ka ideja e një partie të djathtë, pro perëndimore, e ndarë nga ish komunistët dhe e ndarë nga berishizmi. Nëse qëndrimet do të jenë të qarta, ato 103 mijë vota bëhen fare lehtë shumicë, jo vetëm në kampin opozitar, por shumicë në Shqipëri. Kjo parti mund të marrë ato 300 mijë vota që nuk dolën të votojnë, mund të marrë votat e të mashtruarve nga revolucioni i Berishës dhe mund të joshë elektoratin gri që prej kohësh kërkon një alternativë të vërtetë.

Flluska e Sali Berishës dhe Ilir Metës ra që në këto zgjedhje. Ata që i dilnin zot Shqipërisë nuk i dolën zot as vetes së tyre. Të gjitha gjasat janë që të mos jenë në skenë për zgjedhjet e vitit 2025. Sikur zgjedhjet lokale të përsëriten, PD del shumicë. Të genjyerit e panë se binomi Berisha-Meta u rrefuzua në masë nga shqiptarët. Të djathtët e panë se PD nuk është vetëm Alibasha.

Mund t’i gënjesh të gjithë njerëzit njëherë, mund të gënjesh disa njerëz për një kohë, por është e pamundur t’i gënjesh të gjithë përgjithmonë. Lëvizja politike e Sali Berishës do të shuhet.

Nuk ka një filozofi, apo doktrinë politike që i mban bashkë. Gjithçka që ata përfaqësojnë është ideja se partia nuk është një bashkim vullnetar njerëzish që kanë ide dhe interesa të përbashkëta, të cilët synojnë pushtetin për të vënë në jetë këto ide. Gjithçka ata përfaqësojnë është ideja se partia është Ai. Shkrirja është çështje kohe.

A mund ta plotësojë Partia Demokratike vakumin opozitar dhe të jetë një alternativë e vërtetë qeverisëse për zgjedhjet e vitit 2015? Sigurisht që po. Mjafton vetëm të bëhet një parti e hapur, realisht demokratike dhe me vizion të qartë. E djathta shqiptare nuk ka pasur kurrë një përfaqësim të qartë politik. Korrupsioni, kanceri i kësaj shoqërie, nuk ka pasur kurrë një përfaqësim të qartë politik.

E udhëhequr nga parimet e djathta dhe duke përqafuar idetë e liberalizmit ekonomik të Adam Smith, aplikimi i të cilave do të çlironte tregun e përçudnuar shqiptar dhe do të sillte prosperitet. Shqiptarët nuk janë larguar në masë vetëm nga varfëria. Janë larguar edhe sepse shoqëria shqiptare është e padrejtë.

Një shoqëri e drejtuar nga një forcë politike me vizion dhe integritet do të rikthente shpresën në këtë vend.

Le të shpresojmë se kjo forcë do të jetë Partia Demokratike e së nesërmes.