Që Poli i dytë të kthehet në Fuqinë e Lirisë, jo në “Marrëzinë e Rakisë”

6 Shtator 2024, 20:51 / IDE NGA SIDI HASANAJ

Që Poli i dytë të kthehet në Fuqinë e Lirisë, jo
Tashmë të gjendur në paradoksin e devizës që estabilishmenti i vjetër i Berishës funksionon:

“E vetmja gjë që kurrë nuk ndryshon është mos ndryshimi, ripërsëritja, riciklimi”, ndërsa bota ecën egzaktësisht me të kundërtën vektor; “e vetmja gjë që kurrë nuk ndryshon, është ndryshimi konstant”, fokusi mediatik po i servir opinionit publik hapat e para të krijimit të një poli të dytë, një poli që reflekton oksigjen lirie, freski rinie politike por që duhet të ketë dhe seriozitetin e pjekurisë dhe eksperiencës politike.

Aktorët kryesorë të këtij “poli në tentativë” deri tani duhet thënë që po japin një recital, një shfaqje të natyrës më Ballkanike dhe posaçërisht provinciale Shqiptare.

Fokusi i tyre është te evidentimi me superlativa deri në kufijtë e mbivlerësimit irracional të pikave të tyre të forta, (që ata mendojnë), dhe paralelisht sulmojnë, nënvlerësojnë, madje anatemojnë me gjuhën e atij që duan të bëjnë diferencën, (Berishës), ata që duhet të jenë aleatët e tyre… gjithnjë nëse krijimin e Polit të Dytë e kanë seriozisht!

As reklama e madhe përtej objektivit dhe sinqeritetit nuk është e shëndetshme për ta, pasi mburrja në vetvete rrjedh nga mungesa e inteligjencës, por as anatemimi i bashkëpunëtorit potencial nuk i ndihmon, përkundrazi është armiku i tyre i madh, karakteristika “balkanike”, që alternativa e estabilishmentit të vjetër e të korruptuar nuk duhet ta mbarsi!

Së pari, në Shqipëri nuk kemi parti politike të reja. Mjaft i mëshuat kësaj teze, ju lutem!
Kemi parti politike të vjetra, të regjistruara rishtazi, por jo të reja!

Nisma Thurje nuk është parti e re, Endri Shabani ka në jetën politike të Shqipërisë mbi një dekadë, mbi dymbëdhjetë-trembëdhjetë vjet. Ka bërë politikë, ka bërë opozitë dhe ka shpalosur alternativën dhe idetë e tija të paktën prej 13 vjetësh!

Ka marrë pjesë si parti në dy palë zgjedhje, ka rrugëtimin e tij disa vjeçar.

Po ashtu P. Soko i cili e ka nisur rrugëtimin e tij që me partinë e LSI në vitet 2013-2014.

Padiskutim që opozita që ka bërë Endri dhe Pano, shpesh ka qenë më xhenuine dhe efiçente se njëmijë aksionet e Këlliçit, Bardhit e SaliAnjit. Këta të fundit kanë bërë shpesh cirk, balet, madje dhe alpinizëm në dritaret e kuvendit, por Shabani ka çuar në SPAK oligarkë dhe ministra që sot janë nën hetim dhe disa edhe në arrest.

E njëjta gjë vlen edhe për Adriatik Lapajn. Lapaj është në politikë prej shumë vitesh. Ka garuar për deputet me Aleancën Kuq e Zi, ka qenë pjesë e Nismës Thurrje, më pas ka bërë politikë si aktivist pranë PD-së, e tani po formalizon një parti të tijë në aspektin ligjor. Por parti që duhet thënë, se që në embrion ka pasur largimet e Flori Binajt dhe së fundmi Edlira Çepanit. Emra që vijnë pjesërisht nga Portokallia dhe reality show, por që ishin fytyrat kryesore të asaj nisme.

Së treti, Z. Dashamir Shehi, ose më saktë fenomeni Dash Shehi!

Z. Shehi ka në politikë aq sa Sali Berisha shumë më shumë se Edi Rama. Ka një moshë 67 vjeçe, dhe padyshim që janë vite eksperiencë jetësore e politike të vyera, por ama lind pyetja legjitime: Për çfarë të ardhme lufton dikush që ka moshën e pensionit dhe ka kaluar pjesën e artë të kohës së tij përsa i përket punës?!

Z. Shehin e quajta fenomen sepse mishëron në fakt një fenomen:

Çdo dy vjet, rishpik veten e paraqitet në zgjedhje si alternativë e re. Para një viti e gjysmë krijoi polin e dytë opozitar me dinosaur të vjetër të politikës si A. Patozi e A. Duka, etj dhe u paraqit në zgjedhje lokale me shumë pompozitet. Rezultati ishte në shifra 0, x përqind.

Po ashtu para 4 vitesh hyri në listat e PD duke marrë vetëm 2 mijë vota në Tiranë. Shifër jo serioze për një kryetar partie.

Po ashtu Z. Shehi ka qenë alternativë në zgjedhjet e 2017, 2015, 2013. Kurse në parlament ka qenë që në 1996.

Përmbajtja e “alternativës së re” me Z. Shehi janë dy drejtëza të kundërta.

Por padyshim që Z. Shehi ka asete që mund ti reklamojë në politikë, por duhet të ketë seriozitet e ndershmëri.

Çfarë dua të them?

Para tre ditësh, në një emision televiziv, si përfaqësues i formacionit politik “Demokratët Euro-Atlantikë”, unë ju drejtova publikut, (aq pak sa mund të kenë interes të më dëgjojnë), dhe thashë:
“Për mua si i ri në politikë dhe në moshë, një pol i dytë me bashkëpunim me Z.Dash Shehi e të tjerë është shumë i mirëpritur, madje e vetmja rrugë. Fakti që z.Shehi ka kaq vite në politikë dhe nuk është njollosur me damka korrupsioni, është vlerë për të dhe aset për një aleancë me të”.

Nuk e bëra për ta “joshur”, por pashë gjysmën e gotës plotë te Z. Shehi, thashë të vërtetën e besimit tim, pra gjysmën e mirë të medaljes. Kjo pasi nëse dua të bëj ndryshim në zgjedhjet e 2025 përballë Ramës e Berishës, në optikën time vlerësimi i Dash Shehit është vlerësim i alternativës time.

Por pak orë më vonë u bë një deklaratë nga dy deputetë:

“Lulzim Basha nuk është më faktor në politikë, s’ja vlen të merremi me të”.
Autorët e kësaj deklarate sa banale aq dhe të gënjeshtërt, ishin Xhelal Mziu dhe vetë Dash Shehi.

Prof. Dok. Mziun e Kamzës e mirëkuptoj. Aq di të thotë se aq i ka thënë Berisha, e Berishës kjo propagandë i intereson ti hedhë si helm votuesit.
Por Dash Shehi përse duhet ta bëjë këtë deklaratë? Dash Shehi po ulet në tryezë me Kujtim Gjuzin, e nuk po ndihet… ama Bashën e sulmon me gjuhën e Xhelal Mziut?!

Kush është objektivi i tij?

Rrezultati që do dirigjojë rrotacionin dhe çmontimin e estabilishmentit në 2025, apo lufta e tij dhe e “tyre” është vendi i tretë në zgjedhjet e 2025 për të qenë mbase vendi i dytë në 2027 për të qenë më pas në tryezën e madhe të pazarit në 2029?!

Pra duam të jemi seriozë dhe të përgjegjshëm me njerëzit opozitarë? T'ju ofrojmë atyre një formacion që rrezon shpresë e liri, apo të bëjmë hapa të çekuilibruar si anëtarë të tryezave të rakisë?
Ose Liri ose Raki, ose bashkëpunim me devizën “qëndrimet tona kthehen në aleancën tonë”, ose avuj deliri dhe intriga infantile që vetëm avujt e rakisë të sjellin!