Pse Berishës i duhet partia rrugëve, nën logon e Ilir Metës

25 Shkurt 2024, 21:28 / POLITIKË NGA MERO BAZE

Pse Berishës i duhet partia rrugëve, nën logon e Ilir Metës

Pas shpalljes së bashkimit dhe protestës së 20 Shkurtit, problemi me të cilin ndeshet partia e Berishës, është çështja e regjistrimit të partisë dhe krijimit të një partie të re që identifikohet normalisht me Berishën. 

Të ardhurit rishtas tek Berisha në emër të “bashkimit” e kanë jetikë këtë. Ata përveçse duan të dinë vendin e tyre në partinë që kanë ardhur , duan të jenë dhe të sigurt se çfarë do bëhet me të ardhmen e tyre në raport me Berishën. 

Por kjo është një çështje të cilën Berisha nuk do ta zgjidhë. Nëse donte ai mund ta kishte zgjidhur me kohë. 

Berisha nuk është i interesuar për një parti të re, të regjistruar që është një subjekt i ri politik. Ai ka dy vjet që noton grupimin e tij në ilegalitet për tu viktimizuar nga një anë dhe për të qëndruar nën logon e Ilir Metës nga ana tjetër, pasi praktikisht ai është aleati real i tij, me të njëjtin objektiv dhe të njëjtën garanci për besnikëri.  

Duke qenë se të dy kanë prioritet betejën kundër drejtësisë dhe përballjen me Perëndimin, Berisha ka nevojë jetike për aleancën me të dhe e vetmja mënyrë ta sigurojë atë është të qëndrojë nën logon e tij. 

Ndërkohë që ne flasim, Berisha ka kaluar dy palë zgjedhje nën logon e Ilir Metës, ato të 6 Marsit dhe zgjedhjet lokale më 2023. 

Tanimë kur të vijnë zgjedhjet e reja lokale në Shqipëri, partisë opozitare që i takojnë komisionerët dhe fondet financiare është partia e Ilir Metës. Ajo do marrë gjithë fondet e opozitës dhe gjithë komisionerët e saj. 

Ndërkohë që Berisha bën sikur mallkon Lulzim Bashën pse i merr vulën dhe fondet e partisë, ai vet po ja ridhuron fondet dhe vulën e partisë bashkë me komsionerët e ardhëm Ilir Metës. 

Pra njërin e akuzon si besëprerë se i ka marrë vulën dhe fondet, tjetrin po e ofron ndoshta dhe pa ja kërkuar duke i dhënë mundësinë t'i marrë të gjitha përfitimet e forcës së tij politike, duke ja mbajtur kështu peng dhe rebelet e tij. 

Me këtë akt, Berisha praktikisht e ka shkrirë partinë e tij formalisht brenda partisë së Ilir Metës, si e vetmja mënyrë që ai të notojë në ilegjitimin juridik që ka krijuar vet. 

Një parti e re me logo të re dhe me të ardhur të rinj që nuk është se janë shumë luajalë me Berishën, do të impononte një kryetar të ri dhe më së paku një debat të ri nëse na dihet apo jo Berisha kryetar. 

Berisha nuk ka nerva ta durojë këtë debat. Ai e di se një parti legjitime me vulë logo dhe kryetar juridik Berishën është gati një organizatë terroriste në Shqipëri dhe nuk i bën punë askujt.  

Atij i duhet një parti në rrugë të brohorasë për hallin e tij dhe kur të vijnë zgjedhjet të shkojnë nën vulën e Ilir Metës e të votojnë.

Kur të humbasin, fajin e ka Lulzim Basha që ua ka marr vulën dhe jo ky tjetri që ja kanë dhëne vetë. 

Pas një viti në zgjedhjet parlamentare, ne do të kemi një realitet krejt tjetër.

Do të kemi partinë e Ilir Metës me të gjitha fuqitë e partisë më të madhe opozitare, me komisonerë, para dhe vulë dhe partinë e Bashës si një parti e dytë opozitare.  

Deri atëherë, këta që kanë shkuar të bashkohen me Berishën duhet të kthjellohen se janë bashkuar formalisht me Metën, ndërsa këta që mallkojnë Bashën që u ka marrë vulën, është mirë t'ia kërkojnë atë, paratë dhe komisionerët Ilir Metës.

Praktikisht atë u ka caktuar Berisha pasardhës ligjor. Se pasardhës shpirtëror u ka caktuar Argitën. 

 

 

Po ndodh...

ide