Për ata që befas nuk janë (më) “opozita e opozitës”

9 Tetor 2025, 18:15 / IDE NGA SIDI HASANAJ

Për ata që befas nuk janë (më) “opozita e


Mbrëmë Agron Shehaj deklaroi se “e keqja e këtij vendi ka vetëm një emër: Edi Rama”, dhe se mbi këtë bindje ai do të bashkohet me PD dhe Sali Berishën – madje edhe me Adriatik Lapajn, i cili aktualisht po përballet me vetë Shehajn në SPAK, pas akuzave për përfshirje në afera korrupsioni me klane mafioze për tokat e bregdetit në Sarandë.

Mirë, por pyetja që lind natyrshëm është:
pse ky arsyetim nuk vlejti në 11 maj, kur përballë ishte realisht Edi Rama?

Pse atëherë, kur beteja ishte për postin e kryeministrit dhe për një mandat të plotë politik, Shehaj, Lapaj dhe të tjerët ndërtuan “opozitën e opozitës”, ndërsa sot – për një mandat bashkie njëvjeçar – papritur zbulojnë “bashkimin”?

Shehaj, po atë mbrëmje, e artikuloi qëndrimin e tij me tone përfundimtare:

“Opozitën e opozitës unë kurrë nuk do ta bëj. PD është opozita dhe ajo është viktimë e represionit të Edi Ramës.”

Ehhh… nëse kjo është bindja e tij, përse në 11 maj ai mori mandatin e Ilir Alimehmetit në Tiranë dhe i fragmentizoi votat opozitës në disa qarqe, duke i kushtuar PD-së të paktën tre deputetë?
Apo atëherë “viktima” nuk ishte aq viktimë sa sot?

Në 11 maj, Shehaj, Lapaj e të tjerë u investuan fort te imazhi i “partive antisistem”, duke tërhequr pikërisht ata votues që refuzonin si Ramën, ashtu edhe Berishën.
Mesazhi ishte i qartë: Rama dhe Berisha janë dy anë të së njëjtës medalje, bashkë me oligarkët që kanë copëtuar vendin, bregdetin, malet dhe pasuritë natyrore.

E tani?
Pas vetëm katër muajsh, sipas të njëjtëve njerëz, Berisha nuk është më pjesë e sistemit, por viktimë e tij.
Një kapërcim ideologjik që do ta kishte zili edhe Gaz Bardhi!

Por ta zbresim analizën nga teoria te konkretja.
Ermal Hasimja, i pyetur për raportin me Berishën në rast se do të kandidonte për bashkinë e Tiranës, tha:

“Unë do t’i them Berishës se mënyra si ka qeverisur si Rama dhe ai, nuk është mënyra ime. Unë nuk dua të jem kryetar bashkie që vazhdon linjën e tyre. Lufta Rama–Berisha nuk është lufta ime; unë luftoj keqqeverisjen e 33 viteve me idetë e mia të djathta.”

Ky qëndrim i dha Hasimjes integritet, objektivitet dhe distancë higjenike nga dy polet e vjetra të politikës.
Kjo e bëri atë vërtet një kandidat të pavarur.
Nëse Berisha do ta pranonte një kandidat të tillë, do pranonte automatikisht edhe qëndrimin e tij kritik ndaj vetes – dhe ky po, do të ishte një kandidat i pavarur!

Ndaj, pyetjet tani lindin natyrshëm :

1. A do të guxojë Flori Binaj të thotë të njëjtat fjalë si Hasimja, apo do të mbetet në fjalët e kontraverse të Agron Shehajt?

2. A do pranojë Binaj në fushatë fondet, financat, mediat e Sali Berishës apo do bëj fushatë modeste?

3. A do të shprehet Binaj se Oligarkët, janë shëndoshur edhe në kohën e Berishës, por padyshim jo aq sa në kohën e Ramës?

4. A do shoqërohet Flori Binaj në takime në fushatë me Flamur Nokën, Klevis Balliu , Albana Vokshin, me “ushtarët në Frpd” të Zenit?

Ndërsa pyetjet për Agronin, Adriatikun dhe këdo tjetër që sot është bashkë :

A do i kërkoni falje Gazmend Bardhit për qëndrimin e tij 180gradë ndryshe kundër e pro Berishës?

A do i kërkoni falje Berishës që e akuzonit si bashkëndërtuesin e Sistemit të korruptuar në Shqipëri dhe ndaj ju dolët me parti të reja?

Por më thelbësorja:
Kur ju jeni në aleancë me Berishën dhe si rrjedhojë oborrin e tij, ore përse duhet të egzistoni ju? Përse njerëzit të votojnë aleatët e Berishës por jo direkt Berishën?!

Koha është ilaçi më i mirë për të provuar sinqeritetin e kujtdo, dhe për të zbuluar gënjeshtrën dhe hipokrizinë e tij po ashtu!

 

Po ndodh...