Në Shqipërinë e vogël po i mbyllin gojën edhe Amerikës!

1 Tetor 2025, 11:09 / IDE NGA SIDI HASANAJ

Në Shqipërinë e vogël po i mbyllin gojën edhe

Raporti i Departamentit të Shtetit për Shqipërinë, i publikuar pak ditë më parë, kaloi në heshtje në vendin tonë. Ky raport, me fokus investitorët amerikanë të mundshëm, pasqyronte realitetin gri dhe depresiv të ekonomisë shqiptare, ishte një rezonancë e detajuar e problemeve strukturore të sistemit ekonomik e politik në vend, por as qeveria, as opozita, as mediat, askush nuk reagoi.

Pse hesht Shqipëria? Pse qeveria nuk përgjigjet ndaj kritikave të institucionit me ekspertizën më të lartë në botë?
Po paradoksi i opozitës dhe PD… si shpjegohet që heshtin ndaj atij që do duhej të ishte karburanti politik më shpërthyes, i cili do mjaftonte të ndizte zjarrin e revoltës në çdo vend tjetër të Perëndimit? Çfarë interesash preken? Flasin vetëm për aspektin e krimit, por heshtin për oligarkët dhe përkrahjen që ky raport i jep SPAK!

Askush nuk flet, heshtin dhe i mbivendosen zhurmshëm këtij raporti, zërit të Amerikës me dramat dhe komeditë e provincës së vogël tonë.

Përse Amerikës së madhe i mbyllet goja dhe i ulet zëri në Shqipërinë e vogël?

Çfarë realiteti ekonomik dhe qeverisës nxori në pah raporti DASH?

Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si vend të vështirë për biznes:
ekonomia informale, Korrupsioni dhe mungesa e parashikueshmërisë ligjore pengojnë zhvillimin.

Korrupsioni është i përhapur në mënyrë kapilare thotë Raporti i DASH në gjyqësor, prokurime publike, tenderat e PPP, dhe media; teksa kontratat dhe ligjet nuk zbatohen me efikasitet por sipas klemencës së qeverisë.

Deformim i konkurrencës ishte një nga termat më të përdorur në këtë raport… Shqipëria nuk ka konkurrencë të ndershme në ekonomi, por të deformuar përsëriste disa herë raporti i DASH, duke specifikuar se:

“Kontratat e partneritetit publik-privat (PPP) dhe lidhjet politike favorizojnë oligarkët dhe bizneset e lidhura me pushtetin.”

Por deri këtu jemi në suazën e konstatimeve, por sensitiviteti i këtij raporti qëndron në konkretizimin
e problemeve dhe korrupsionit!

Faktohet me shifra konkrete dhe ekspozim të pikave nevralgjike sesi Shqipëria ka një sistem shtetëror të kapur, dhe disa nga shifrat e publikuara janë:

Investimet e huaja (FDI) për 2024
Fluksi: $1.71 miliard
Stoku: $16.7 miliard

Sektoret kryesore:
* Real estate: 23%
* Industria nxjerrëse: 13.5%
* Banka dhe sigurime: 18%
* Industria përpunuese: 11%

•GDP për frymë: rreth 1/4 e mesatares së BE-15

•Ligji për Investimet Strategjike: afati aktual deri dhjetor 2026

•Projekte të miratuara: mbi 60, shumica në turizëm dhe kryesisht nga investitorë vendas.

Këto shifra janë e e vërteta e madhe e gjendjes së Shqipërisë në skamje, thënë nga institucionet Amerikane.

Në Shqipëri konkurrenca në tregun e lirë është e shkatërruar nga oligarkët dhe politika, e teksa raporti thekson se:
“konkurrenca në tregun e lirë është e shkatërruar nga bashkëpunimi i oligarkëve me pushtetin. Ligji për investimet strategjike, i krijuar për të tërhequr korporatat e huaja, përdoret për të favorizuar investitorët vendas.”
Askush nuk ndihet…

Përse Qeveria nuk shprehet për këtë akuzë kaq të rëndë? Përse Ligji për Investitorët Strategjikë, është përdorur kryesisht për klientët e qeverisë dhe jo kompanitë e huaja?

Përse Partia Demokratike dhe kryetari i saj nuk e nxjerrin këtë raport në sheshin e opinionit publik? Përse nuk bëjnë oponencë të vërtetë për Investitorët Strategjikë të PS që kanë deformuar dhe shkatërruar konkurremcën e lirë ??

Çfarë lidhje ka PD me investitorët e PS, që nuk flet dot me emra nominalë?

Së dyti, sipas shifrave më lart rezulton se Sektori i Nxjerrjes përmban 13.5% e investimeve të huaja, shifër mjaft e lartë.

Por ky sektor nga cili investitor i huaj dominohet?

Aktori kryesor ekonomik në këtë sektor është Bankers Petroleum, ku pasojnë zhvatje dhe varfërim kolosal i vendit.

Përse nuk flasin PS dhe PD si Bankers ka nxjerrë nga pasuria e nëntokës Shqiptare miliarda Euro naftë dhe 8 vitet e qeverisjes së PD dhe 12 vitet e qeverisjes së PS ka deklaruar 0lek fitime?

Si mundet që klasa politike heshte për aktorin kryesor që operon në sektorin e industrisë nxjerrëse?

Së treti, Industria përpunuese raporti evidenton se ka 11% të Investimeve të huaja në vend.

Por kush e dominon këtë sektor me kaq peshë për ekonominë tonë?

E udhëhequr nga kompani si Kurum, karakterizohet nga masakra mjedisore, evazion fiskal e mospagim taksash, dhe roli monopolist në treg kanë çuar në shkatërrim të Shqipërisë.

Qeveria përpara këtij skandali hesht, PD jo vetëm hesht por televizioni i saj trasmeton papushim reklamën e Kurum LTD pa asnjë skrupull moral… përse duhet njl kompani monopoliste që ska konkurrencë të paguaj miliona reklama te Opozita?
Modeli i Inceneratorëve dhe reklamave drejtuar mediave, përsëritet këtu!

Një maskaradë ku monopolet, kanë kapur Qeverinë dhe Opozitën, dhe rezultati?

Pasojat për qytetarët janë GDP për frymë sa 1/4 e mesatares së BE, fuqia blerëse ekstremisht e ulët dhe çmimet e produkteve/shërbimeve më të larta se BE për shkak të oligopoleve dhe interesave klienteliste të qeverisë.

Ja pra ky është sistemi që vret Shqipërinë ,ky është kanceri terminal i vendit: politika dhe oligarkët e vjedhin për ta qeverisur me pushtetin që u jep paraja, dhe e qeverisin për ta zhvatur vendin nga çdo qindarkë. E më pas ndodh drama… hemoragjia e trupit të vendit tonë, emigrimi masiv!

DASH thotë se:
“Emigrim masiv i të rinjve dhe deformim i tregut i vendosin qytetarët në një situatë dramatike.
Mungesa fuqie punëtore të aftë, emigrimi i të rinjve të kualifikuar ka krijuar mungesë të fuqisë punëtore, duke kufizuar rritjen dhe perspektivat e investimeve, sjell klimë totalisht të papërshtatshme për investitorët e huaj.”

Çfarë shpjegimi ka kryeministri për këtë raport? Për këtë pasazh të raportit? Pas 12 vitesh në krye, kjo është arritja ekonomike e Edi Ramës? Një vend me emigrim masiv?

Me pas vjen pjesa e krimit dhe korrupsionit:

Deformimi i tregut nga aktivitetet kriminale: aktivitete të paligjshme dhe para të fituara nga trafiku i drogës, kontrabanda, shmangia fiskale dhe korrupsioni deformojnë konkurrencën, vrasin sipërmarrësit shqiptarë. Në raport shkruhet se:

“Krimi i organizuar deformon tregun dhe ekonominë, favorizon aktorët e lidhur me pushtetin dhe kufizon konkurrencën e drejtë.”

Lidhja simbiotike Oligarke-Krim-Politike dhe media kanë vendosur nën diktat Shqipërinë e varfër, të vogël, të braktisur, por… që paradoksalisht i mbyll gojën Amerikës për mos të thënë të vërtetën e trishtë.

Pyetja që lind natyrshëm është:
A ka më keq se kaq për një shtet në Europë?
A ka sistem pushteti më të zi se kaq?

Departamenti i Shtetit na thotë se Krimi, Korrupsioni, Tenderat, PPP, Monopolet, Oligarkët kanë shkelmuar strukturën ekonomisë së tregut të lirë dhe kanë vrarë konkurrencën e lirë në Shqipërinë e varfër, dhe kush është reagimi i klasës politike?

PS heshtje totale bashke me mediat e saj, e PD ka tre ditë që bën konferenca për shtyp për Yuri Kim teksa i ka vënë kyç gojës për këtë raport!

E pabesueshme si po mbytet edhe zëri i Amerikës në Shqipërinë e varfër!

Po ndodh...

ide