Kush është numri 2 në PS?
Tashmë asgjë nuk më surprizon. I mësuar me Kongrese patetike e zhurmëmëdhenj të një kohe dramatike, kongreset e këtyre kohëve më ngjajnë si surrogato moderne.
Edhe tani gëlojnë fjalimet dedikuese kryesisht të çupëlinave bukuroshe që përmes timbrit riosh e pamjes elegante të sjellin në mendje relike të së shkuarës. Të gjithë vëmë buzën në gaz me një cinizëm që, më shumë sesa folëses gazmore i dedikohet PAFUQISË sonë për të ndryshuar diçka.
Deri sa vjen fjalimi i Udhëheqësit.
Unë e di që vitin tjetër Ai do të rikonfirmohet. Për herë të katërt radhazi. Erdhi mesoburrë dhe po e përfundon në mesoplak. Erdhi qimezi e riosh e po del pa një qime të zezë e gërdallë. Përveç aty ku ne nuk mund ta dimë apo nuk ma zë goja ta them. 27 vite në pushtet absolut, 11 Kryetar i Bashkisë së Tiranës, 16 Kryeministër, 20 vite Kryetar i Partisë Socialiste.
Pushtet politik dhe ekzekutiv i pakrahasueshëm me askënd. Përveç Enver Hoxhës. Por Kryeminstri ynë, ndryshe nga Enveri, nuk ka frikën e komploteve apo agjenturave të huaja. Përkundrazi, të gjithë kanë frikë nga komploti i Tij, nga Humori i Tij, Gjumi i Tij, Shiatiku i Tij, Ëndërrat e Tij.
Edhe unë që isha rehatuar në divan e po prisja Fjalimin e Madh kisha frikë. E dija se do më shante. Sepse Ai të shan, të sikteris, të përtall, nuk ka rëndësi se nuk i ke bërë asgjë. Ai është nervoz. Edhe nëse nuk ta përmend emrin e përveçëm, Ai të sulmon pse nuk je aty, me të, pse nuk mendon si Ai, pse nuk punon si Ai; të bën të ndjehesh i kotë, i pavlerë, dembel, budalla. Të hakërrehet me gjeste e hungërima, e shikon kamerën sikur të ka aty përpara, kap pak cepin e veshit të djathtë dhe gjuan me fjalëshpuzën majë gjuhe.
“Ne jemi 800 mijëshi” – mu gërmua nga Televizori përballë i duartrokitur me frenezi e ulërima nga përfaqësuesit e këtyre 800 mijëve në Kongres.
U ndjeva i pafuqishëm. Kush mutin isha unë përpara furisë 800 mijëshe të Atij?
Pastaj mendova:
Po mirë mo, a ka të tjerë jashtë këtij 800 mijëshi?
Sigurisht që ka, unë jam një prej tyre. Por kjo është e përëndësishme. Mua nuk më dëgjoi njeri. Ne jemi një milion individë por pa LIDER.
***
Përditë dyert e hekurta e të ftohta të Prokurorisë Speciale kalohen në radhë nga EKSPONENTË të këtij 800 mijëshi. Pra, prit njëherë, nga EKSPONENTË duke filluar nga ZëvendësKryeminsitri, Ministri i Brendshëm, i Shëndetësisë, Mjedisit, Drejtorë Qendrorë, deputetë, Sekretarë të Përgjithshëm, zyrtarë të lartë...
A janë këta Partia Socialiste?
Sigurisht JO, këtu pajtohem me Kryeministrin. Partia Socialiste është VETËM Kryeminsitri dhe kjo është e vërteta absolute. Të tjerët vijnë e shkojnë, herë afrohen e herë largohen sa për të krijuar një iluzion bashkësie. Ata janë lista e Tij, tekat e Tij të momentit, kapriçiot e Tij.
Një herë Veliaj e Tahiri e pastaj Balluku me Gonxhen e deri te Helena e djeshme, për ditë teknologët e Kryeminstrit sajojnë Hijen e tij, lobin e Hijes, intrigat e Hijes. Dhe zaret e Hijes. Nuk ka gjë më për zemër Kryeministri ynë sesa luftën e pasuesve për të kapur Hijen e Tij.
Mund ta kapin aq sa mund ta kapë një frymor një Hije.
Herë promovon një e herë një tjetër, herë përtall një e herë një tjetër, herë rrëzon një e ngre një tjetër. Sapo nje figurë në ngjitje merr njohje publike, ai syrgjynoset në humnerën e asgjësë. Sapo Taulant Balla doli deputeti me më së shumti vota pëlqyese në Shqipëri filloi rrokullimën tatëpjetë. Nuk po merrem me sikterisjet e Saimir Tahirit (vemje) Erion Veliajt (do të varet në një nga pemët që ka mbjellur vetë), Braçes, Ahmetajt e me radhë.
Sepse Lideri ynë nuk duron numrin Dy. Ai pëlqen një Listë me Numër 2, madje një listë aq të madhe sa të humbasë kuptimi i Numrit 2. Numri Dy është armiku më i madh i tij, është njeriu në pritje për rënien e Tij. Kjo është arsyeja kryesore pse Kryeminsitri refuzon listat e hapura. Ai do të votohet VETËM AI jo individë të tjerë. Shuarja e çdo lloj individualiteti politik, qysh në embrion, është joshja e tij politike më e madhe. LISTA E TIJ është numri 2, kjo po, është më e pranueshme. Një listë delikate që ndryshon nga humori kryeministror dhe niveli i nënshtrimit të servilit në një çast të caktuar të kohësh.
Prandja, rendja për të kapur Pasardhësin i ngjan lojës me Hijen : E kap ai që s’e ndjek.
Doktor Fisheri dhe Doktor Penxhereja
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128