Kalorësi Enkelejd Alibeaj, një portret i pa autorizuar

10 Korrik 2024, 00:06 / IDE NGA ALBI XHUNGA

Kalorësi Enkelejd Alibeaj, një portret i pa autorizuar
I tronditur nga humbja e vulës, ish numri 2 i partisë së djeshme demokratike, me një gjest kalorsiak, u largua formalisht nga grupi parlamentar i PD-së së drejtuar tashmë nga Sali Berisha. Në pamje të parë duket një akt vërtet idealist. Por a ishte e nevojshme? A prodhon gjë politikisht?

A duhej një ndarje de jure nga Berisha e atij që pretendon të jetë ndarë de facto nga berishizmi që në vitin 2012?

A nuk janë de facto të ndarë nga Berisha e berishizmi të gjithë ata që sot ndodhen në forcën politike të demokratëve euroatlantikë me në krye Lulzim Bashën? 

Humbja e legjitimitetit të Partisë Demokratike në favor të Sali Berishës ka prodhuar një çarje në kupolën e forcës politike të drejtuar nga Lulzim Basha. Debati duket të jetë nëse duhet krijuar një forcë e re politike, duke hequr dorë nga beteja juridike, apo duhet vazhduar beteja deri në fund, duke e ruajtur strukturën e partisë dhe duke marrë pjesë në zgjedhje.

Një grup i vogël prej 4/5 politikanësh të kategorisë së dytë, të cilët Basha i ftoi në kategorinë e parë, me në krye kalorësin idealist Enkelejd Alibeaj, janë për një forcë të re politike. Alibeaj argumenton se rekursi nuk vlen për asgjë, pasi nëse dyshja Berisha-Rama e ndikuan njëherë gjykatën, mund ta bëjnë këtë sërish. Ndërsa Lulzim Basha argumenton se nuk mund të lejohet që padrejtësia të bëhet normë.

Nuk mund t’i lihet non gratta-s legjitimiteti i forcës së parë opozitare shqiptare. Nëse të korruptuarit i shtrinë tentakulat në gjykatat shqiptare, rekursi do të bëhet deri në Strasburg, aty ku të korruptuarit nuk mund të ndikojnë dot. Në debatin e brendshëm grupimi Alibeaj humbi.

Këshilli Kombëtar i demokratëve euroatlantikë votoi në shumicë një rezolutë ku përkrahet vizioni i Lulzim Bashës. Duke e parë veten në pakicë brenda forcës politike, grupimi Alibeaj ka njoftuar krijimin e një partie të re politike. Me sa duket, kjo ndërmarrje politike nuk po ngjit. Gallatën e një force politike pa kryetar, të krijuar nga të traumatizuarit prej kryetarëve, do ta trajtojmë në një shkrim tjetër në mënyrë të detajuar (nëse e shpallin ndonjëherë dmth).

Ndarja e Alibeajt nga berishizmi

Kalorësi idealist Enkelejd Alibeaj pretendon të jetë ndarë nga berishizmi që në vitin 2012. Se ç’akt bëri për t’u ndarë nga berishizmi nuk e tregon. Po nejse, deri sa e thotë, do ketë bërë diçka. Ta analizojmë gjithsesi. Një ndarje nga berishizmi atëherë kur Berisha ishte edhe formalisht zot i PD, meriton pak vëmendje.

Figuron se Enkelejd Alibeaj nuk ka qenë deputet në legjislaturën 2013-2017. Ky duhet të ketë qenë ndëshkimi për aktin sekret që kalorësi idealist Enkelejd Alibeaj ka bërë për t’u ndarë nga berishizmi. Mirëpo Alibeaj ka qenë kandidat i PD për kryebashkiak në Fier në vitin 2015.

Ka qenë deputet si kreu i listës në qarkun e Fierit në legjislaturën e kaluar 2017-2021 dhe në aktualen 2021-2025. Ka qenë kreu i grupit parlamentar dhe nënkryetar i PD.

Sipas narrativës së Enkelejd Alibeajt, vendimmarrësi i vërtetë në PD ka qenë Sali Berisha edhe pas largimit të tij formal nga kreu i partisë.

Një tezë kjo e gjithëpranuar në debatin publik. Pra kalorësi idealist Enkelejd Alibeaj na thotë se Sali Berisha ka promovuar në postet më të larta të PD dikë që është ndarë nga berishizmi që në vitin 2012.

Ose kjo është e vërtetë dhe në këtë rast Sali Berisha rezulton politikani më liberal dhe më demokratik i kontinentit (unë nuk njoh ndonjë lider europian që të ketë promovuar kaq lart kundërshtarët e tij brenda partisë). Ose idealisti Enkelejd Alibeaj është qesharak deri në dhimbje. Gjithkush zgjedh variantin të cilit i beson.

Beteja e ‘’liderit’’ Enkelejd Alibeaj

Enkelejd Alibeaj deklaron se ai nuk vuan për të qenë lider, pasi ai ka qenë lider i PD zyrtare nga viti 2022 kur Lulzim Basha u largua, deri në majin e vitit 2023 kur PD zyrtare humbi zgjedhjet lokale, në të cilat në fakt ajo nuk mori realisht pjesë. Nuk mund të ketë deklaratë më komike se kjo.

Të ngatërrosh të qenit (aksidentalisht) kryetar në detyrë i një partie me liderin e saj, është si të ngatërrosh menaxherin e një biznesi me pronarin legjitim. Në fakt, ajo që ndodhi përgjatë ‘’lidershipit’’ Alibeaj në këtë periudhë është përshkruar më së miri nga Roland Bejko.

Partia u fut në frigorifer. Forumet nuk mblidheshin. ‘’Liderin’’ kalorësiak Alibeaj e përzuri Berisha nga zyrat me vetëm një vështrim kërcënues. Preteksti i vendimit të Zhukrit nuk mund të qëndrojë për një jurist si Alibeaj, pasi nuk ishte një vendim i formës së prerë. ‘’Lideri’’ Alibeaj thërriste mbledhje të kryesisë e të grupit parlamentar, por nuk para ia fishkëllente njeri. Partia e drejtuar nga Alibeaj kishte futur kokën poshtë batanijes.

Eksponentët e saj (përfshirë ‘’liderin’’ kalorsiak) ishin zhdukur nga debati publik. Në betejën elektorale të 14 majit, debatin publik e mbajti Roland Bejko. ‘’Lideri’’ Alibeaj u mjaftua me një fjalim në strukturat e partisë që ia kishin shkruar mirë e që e lexoi edhe më mirë.

Alibeaj ka padyshim meritën që qëndroi në një moment kritik si 14 maji. Mund edhe të kishte ikur poshtë ballkonit si Gaz Bardhi. Ndoshta e kemi hiperbolizuar shumë rezistencën e Alibeajt më 14 maj.

Ndoshta edhe e kemi dëmtuar padashur. Tani Alibeajt i duket vetja si luftëtar sypatrembur. I duket vetja si anti-berishist i lindur. I duket vetja si autoritet moral në shoqërinë shqiptare. Ose ndoshta edhe është. Koha do të na e tregojë…

Dorëheqja e ‘’liderit’’ Alibeaj

Lulzim Basha i la një parti me struktura, me zyra, me grup parlamentar. Kur u kthye e gjeti partinë të reduktuar në një grusht njerëzish që kishin futur në një kioskë ku kishin marrë zyra me qera (mirë që nuk dolën të bëjnë opozitë në mërgim). Partia e ‘’liderit’’ Alibeaj mblidhej në kafe, kur rastiste t’u pihej kafja në të njëjtën kohë.

Pas 14 majit, Alibeaj dorëhiqet nga posti i kreut të grupit parlamentar dhe nga posti i kryetarit në detyrë i PD. Alibeaj deklaron shpesh se ai është i vetmi lider (i është mbushur mendja se ka qenë lider) politik që ka marrë përgjegjësi dhe ka dhënë dorëheqjen. E vërteta është se Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen pasi Gaz Bardhi kishte mbledhur firmat për ta shkarkuar si kreun e grupit parlamentar. Ky tashmë është një sekret publik.

Bashkë me kreun e grupit parlamentar, Alibeaj dha dorëheqjen edhe si kryetar në detyrë. Këtë e bëri pa njoftuar askënd, çka e përbënte një veprim të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm në ato momente kur partia nuk kishte kryetar. Gjithsesi Alibeaj u dorëhoq nga kreu i grupit parlamentar, nga ku po e shkarkonin dhe nga të qenit kryetar në detyrë i një partie ku nuk i bindej as roja te porta. As grupin parlamentar e as kryesinë, nuk i mblidhte dot. Kjo është e vërteta.

Profili i luftëtarit të paepur

Komplotistët me në krye Alibeajn kanë ngritur një fabul sipas të cilës Lulzim Basha ka një pikë të dobët, bashkëpunimin e afërt me Sali Berishën. Ça gallate. Këtyre u duket vetja më të pastër, sepse kanë qenë më larg Berishës. Këtu natyrshëm lind pyetja: “Këta ishin më larg Berishës, sepse kështu kishin zgjedhur këta për të ruajtur pastërtinë e figurës, apo se kështu kishte vendosur Ay?’’ Po sikur Berisha t’i kishte thirrur për t’i bërë ministra, këta do të kishin rrefuzuar për të mos u bërë pis?

Dhe pyetja 1 milion dollarë: ‘’Kur e kuptoi kalorësi idealist Enkelejd Alibeaj se Sali Berisha ishte autokrat, vrasës, i korruptuar, pengues i drejtësisë dhe i demokracisë?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve në fakt pëcaktojnë se kë do të konkurojë kalorësi idealist Enkelejd Alibeaj. Dyshen Rama-Berisha? Apo… Don Kishotin e Nastradinin?

Po ndodh...