Flauti magjik i Sali Berishës!

12 Qershor 2024, 15:08 / IDE NGA ARTUR ZHEJI

Flauti magjik i Sali Berishës!

Përfundimisht Sali Berisha dhe grupi i tij më i ngushtë, politik dhe ekonomik, janë vështirësisht të konkurrueshëm. Sepse të fitosh betejat në një terren rrëshqitës dhe armiqësor, duke patur administratën amerikane dhe Brukselin kundra, është padyshim në kufirin e të pamundurës.

Sepse beteja e Doktorit, nuk ishte rikthimi në pushtet, por pushteti i plotë mbi Partinë Demokratike, të cilin ja lëkundi për disa kohë vetëm Lulzim Basha.

Porse ambicia verbuese dhe etja e pasosur për vrarë politikisht Bashën, që nuk kishte pas vetes grupime ekonomike, apo grupime të fortësh të mirë armatosur, punoi mirë e bukur, në interes të Doktorit.

Grupi i brishtë i deputetëve të rinj rreth Bashës, gjykuan krejt para kohe, se Saliu, politikisht morri fund dhe vrapuan te oborri i Doktorit, me shpresë ti rrëmbenin Partinë Demokratike.

Doktori, një ujk i sprovuar politik, i joshi me dhurata dhe me xhingla vezulluese, përderisa të zgjidhte dy çështje kryesore:

– Rrëzimin politik të Bashës

– Marrjen e vulës, pra aktin përfundimtar noterial të pronësisë ndaj Partisë, godinën madhështore dhe truallin e pafund përreth…

Tani Doktori, ka lluksin e trashëgimisë së pronës së vet, tapinë e së cilës, të gjithë ambiciozët me brirë, i dhanë një dorë që ay, ta fitonte, ta fitonte me çdo kusht, edhe duke gënjyer ujqit e rinj, si të ishin ca keca me këmborë.

Një bravo të madhe për Doktorin, që korri një fitore të fundit, të denjë për manual studimi, në shkencat politike shqiptare.

Kardiologu, u rrëfye mbi të gjitha një psikolog i përkryer! Dhe me fyellin e një Fakiri persian, luajti fort bukur me gjarpërinjtë dhe gjarpërueshet e reja.

Fillimisht i magjepsi që të kafshonin me dhëmbkat e helmuara Lulzim Bashën e njomë, e më pas i joshi të lodronin si “liderët” e të ardhmes, duke i futur përmes tingujve të të njëjtit fyell magjik, në thesin e tij, thurur me fije kërpi dhe premtimesh që mrekulluan kecat apo gjarpërushët pa kërbisht!

Tani Sali Berisha, është rikthyer përfundimisht!

Është në pushtet të plotë të lojës politike dhe komunikon me kode vetëm me Edi Ramën!

Gjykoj se vetëm Argita dhe Shkëlzeni mund të trashëgojë natyrshëm këtë Parti, të tjerat janë fjalë dhe tinguj plot fantazi të Flautit magjik, që ja mbërriti deri këtu!

Se çdo bëjnë kecat që ju fal ca kohë e drejta të ulurinj si këlyshë ujqish, është çështje garniture dhe sallaturinash… rizgjimi i tyre do të jetë një dramë e vockël dhe e parëndësishme.

Game over!

Sali Berisha në poltronën e PD ndërsa Edi Rama, në poltronën e kryeministrit, edhe për një mandat të katërt!

Kjo është marrëveshja, që të gjithë do ta mohojnë dhe do të përbetohen, se nuk ka ndodhur kurrë!

Dhe madje, shumë kush do ti besojë këto përbetime, për të “mirën” e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Spak, nëse do të vazhdosh të jesh SPAK-u! Është rasti ta kesh mirë mendjen, tash e tutje!

Kaq për sot…