Dashuri në kohën e frikës nga SPAK

23 Qershor 2024, 20:02 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

Dashuri në kohën e frikës nga SPAK

Dashuria në kohën e ndëshkueshmërisë nga SPAK-u mes Ramës dhe Berishës kulmoi me dhënien e vulës së PD-së Sali Berishës.

Në sytë e të gjithëve, më parë nëpërmjet Lindita Nikollës, Rama e kishte njohur 'de facto' si lider të opozitës, ndërsa nëpërmjet dhënies së vulës edhe e certefikoi ligjërisht.

Tashmë ai e ka rrugën e shtruar dhe pa asnjë pengesë për të marrë një mandat të katërt pavarësisht detit të madh të korrupsionit që ka mbytur të gjithë anijen e qeverisjes së tij.

Sot edhe njerëzit e oborrit të Berishës e pranojnë se vulën e dha Rama, sepse rënia e Berishës do të shkaktojë efektin domino, duke e bërë atë gurin e radhës që bie në rrjetën e SPAK.

Prandaj janë shtrënguar fort në tangon e vjetër, për të liruar të korruptuatit përmes amnistisë, për të vrarë Reformën Zgjedhore që pritet të skadojë në fund të këtij muaji pa arritur qëllimisht asnjë gjë konkrete, e sigurisht për t’u futur bashkë në bunkerin anti-SPAK, për shkak të halleve të përbashkëta me drejtësinë.

Një derë që hapet e mbyllet sipas hallit të Doktorit, ka dhe çelës, ndaj sot ai nuk është asgjë më shumë se Sali Brava që kërkon çelësin e PD-së në oborrin kryeministror të Edi Ramës.

Nuk e bën nga dëshira, por nga halli si e vetmja shpresë për të mbijetuar dhe për të shtyrë ndëshkimin.

Është e njëjta derë interesash korruptive që e lidhin me lejet e Kullave në Tiranë, sipas parimit vërtet në sytë e njerëzve bëjmë sikur zihemi, por kullat dhe oligarkët i kemi bashkë.

Shqipëria është e mpirë dhe e pashpresë nga kjo lojë e një qeverie të korruptuar dhe e një opozite po aq të korruptuar, ndaj ajo sot më shumë se kurrë ka nevojë për një ofertë dhe alternativë të re.