Nis viti i ri shkollor, 28 mijë nxënës në klasën e parë! Ja plani i masave për mbarëvajtjen e procesit mësimor

9 Shtator 2024, 07:17 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Nis viti i ri shkollor, 28 mijë nxënës në klasën e

Sot nis viti i ri shkollor 2024-2025 për 350 mijë nxënës në të gjithë vendin, 28 mijë prej të cilëve ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Ky vit i ri mësimor vjen me risi e investime të rëndësishme. Përkatësisht, prej 9 shtatorit, për nxënësit me nevoja të veçanta do të ketë 2100 mësues ndihmës, 200 më shumë se në vitin 2023. Po ashtu, 240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, 40 më shumë se më 2023. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur të shtojë edhe numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë, duke bërë që numri i tyre të shkojë në 850, 50 më shumë se në vitin e kaluar shkollor. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh se 238 mijë nxënës marrin libra falas vit shkollor.

“Fillim i mbarë, me tekste falas për 238 mijë nxënës, 25 shkolla të reja, +216 laboratorë SMART dhe terrene të reja sportive, si dhe me mësues më të motivuar me rritjen historike të pagave në 950 euro në muaj për ta”, – theksoi Manastirliu. Në të gjitha shkollat ka filluar shpërndarja e librave falas, që është një nismë e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për t’u ardhur në ndihmë familjeve shqiptare, duke e bërë shkollën jo vetëm gjithëpërfshirëse, por edhe ndihmuese. Nxënësit, të cilët u përkasin kategorive të veçanta do të përfitojnë libra falas për këtë vit shkollor. Gjithashtu në ditën e parë të shkollës do të hyjë në fuqi edhe udhëzimi i Bashkisë Tiranë, që përcakton se mjetet e furnizimit të dyqaneve dhe marketeve nuk mund të qarkullojnë nga ora 7:00 deri në orën 9:00.

MASAT POLICORE

Ditën e djeshme policia ndodhej në përgatitjet dhe koordinimin e detajeve të fundit nga forcat e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe Policia Bashkiake e kryeqytetit, ndërsa sot ka kaluar në terren, në mirëmenaxhimin e lëvizjes në zonat me më shumë trafik. ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha duke iu uruar nxënësve, mësuesve prindërve fillim të mbarë e suksese në këtë vit shkollor, i garantoi ata se Policia e Shtetit dhe strukturat e saj kanë marrë çdo masë për sigurinë e tyre.

“Për të garantuar sigurinë rrugore dhe një qarkullim sa më të lehtë, ftojmë qytetarët të respektojnë disa këshilla të vogla”, – u shpreh Hoxha duke renditur disa prej tyre.

Kështu, Policia apelon prindërit që banojnë afër shkollave, të shmangin përdorimin e mjeteve për të shoqëruar fëmijët, duke ndihmuar në reduktimin e trafikut. Po ashtu, furgonat e mjetet transportuese të shkollave, ta kryejnë shërbimin në mënyrë të shpejtë, duke mos krijuar pengesa e bllokime të trafikut. Qytetarëve iu kërkohet të shmangin përdorimin e mjeteve personale dhe të përdorin transportin publik, nëse nuk e kanë domosdoshmëri. “Policia e Rendit, “Shqiponjat”, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake në çdo bashki do të jenë të pranishme për të mbështetur dhe garantuar sigurinë nga dita e parë e vitit të ri shkollor”, – njoftoi Hoxha.

Policia e Shtetit, në përmbushje të misionit dhe detyrave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, ka hartuar një plan të detajuar masash me detyra konkrete për të gjitha strukturat e angazhuara të saj. Qëllimi i këtij plani është garantimi i sigurisë publike, ruajtja e rendit dhe qetësisë, parandalimi i fenomeneve negative në shkolla, si dhe rritja e sigurisë për nxënësit dhe personelin mësimor, si në mjediset e shkollave ashtu edhe në rrugë. Për të siguruar zhvillimin normal të procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve në ambientet e jashtme dhe në afërsi të shkollave, Policia e Shtetit ka angazhuar ndihmës specialistët e Policisë në zona, punonjësit e Policimit në Komunitet, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Policinë Kriminale. Përpara fillimit të vitit shkollor është bërë një vlerësim i situatës kriminale në të gjitha qarqet. Bazuar në këtë vlerësim, strukturat vendore të policisë kanë hartuar plane masash me detyra të qarta për kontrollin e territorit, ruajtjen e rendit dhe angazhimin e policisë kriminale dhe rrugore.

Në kuadër të masave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, janë caktuar detyra të detajuara për punonjësit e policisë që shërbejnë pranë shkollave. Prezenca e shtuar e policisë në këto ambiente synon të mbledhë dhe të trajtojë informacionet në kohë reale, duke vepruar shpejt për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal në shkolla apo pranë tyre. Në këtë kontekst, po bashkëpunohet ngushtësisht me Drejtoritë Arsimore Rajonale, drejtuesit e shkollave, stafet mësimore dhe oficerët e sigurisë në shkolla për të garantuar fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për çdo nxënës.