Berisha dhe vjedhja e protestës: Një mashtri i vjetër me fytyrë të re

9 Qershor 2026, 14:50 / EDITORIAL NGA SIDI HASANAJ

Berisha dhe vjedhja e protestës: Një mashtri i vjetër me

Dita e dhjetë e protestës. Dhjetë ditë që rrugët e Shqipërisë buçasin me një kërkesë të vetme, të qartë, pa ekuivok: Rama dhe Berisha në burg. Jo njëri pa tjetrin. Të dy. Bashkë.

Dhe pikërisht në këtë moment, Sali Berisha, ai njeri që vetëm pak ditë më parë i quante protestuesit “mjeranë”, sorosianë, të Veliajt … anti Amerikanë, doli sot në Sarajevë, para Partisë Popullore Europiane, dhe mbajti një fjalim sikur të ishte ai vetë kryetar i kësaj lëvizjeje. Ndërkohë që Berisha nuk shkon dot në protestë, se është shënjestër e saj!

Kjo nuk është mbështetje, kjo është grabitje që Berisha po tenton ti bëjë kësaj lëvizje anti kastë.

Mashtrimi Qëndror

Berisha e di shumë mirë çfarë buçet në rrugë. E di që emri i tij thërret krahas emrit të Ramës. E di që rinjtë që ngrenë zërin nuk janë “bazë e PD-së”, nuk janë militantë të tij, nuk i binden atij dhe nuk e duan atë.

Por Berisha ka një talent të vetëm të paprekur nga koha: aftësinë për të hipur mbi valën e të tjerëve dhe për të pretenduar se ai e nisi atë. Siç bëri me lëvizjen e antikomunistëve dhe studentetëve të dhjetorit në 1990.

Në Sarajevë ai tha: “Lëvizja është e pandalshme. Nuk është vetëm lëvizje e partisë sime.”

Vini re lojën gjuhësore. Fillimisht e quan “lëvizje të partisë sime”, pastaj si korrigjim i vonuar shton “nuk është vetëm e partisë sime.”
Me fjalë të tjera: është e imja, por edhe më shumë se e imja. Është grabitja gjuhësore e një proteste që e refuzon atë me tërë shpirtin e saj.

“Mjeranët” e Djeshëm, “Lëvizja e Pandalshme” e Sotme

Kujtojeni. Nuk kanë kaluar shumë ditë. Berisha i quajti protestuesit “mjeranë” , njerëz të manipuluar, agjentë, destabilizatorë. Sharjet erdhën me lehtësinë e dikujt që është mësuar të poshtërojë pa pasoja.

Sot ata mjeranë janë kthyer në “lëvizje të jashtëzakonshme qytetare dhe rinore.”

Çfarë ndryshoi? Asgjë tek protestuesit. Ata janë të njëjtët. Ndryshoi vetëm termometri politik i Berishës, i cili tregoi se vala është e lartë dhe mund të notohet mbi të.

Ky nuk është pendim apo reflektim, ky është oportunizëm i pastër i një komunisti të vjetër!

Fjalimi i Berishës në EPP ishte i ndërtuar mjaft diabolik. Droga, kapja e shtetit, zgjedhjet farsë, Natyra dhe mjedisi, gjithçka e saktë, gjithçka e njohur, gjithçka e vjedhur nga diskursi i shoqërisë civile dhe i protestuesve vetë.

Por vini re çfarë mungoi:

Asnjë fjalë për faktin që vetë Berisha është i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar dhe trafikantë droge! Pikërisht ajo “fuqi e tmerrshme” nga droga për të cilën ai foli me aq zjarr.

Asnjë fjalë për dekadat kur ai vetë qeverisi dhe shteti u kap, Drejrësia u nënshtrua dhe u kthye në levë të tij, madje dhe kanabisi u mboll me qetësi në zona si Lazarati apo Lumi i Vlorës.

Asnjë fjalë për faktin që edhe për këto fakte historike, kauza e protestës është edhe kundër tij.

Fjalimi ishte i projektuar për audiencën europiane, jo për të thënë të vërtetën, por për të pozicionuar Berishën si alternativën demokratike ndaj Ramës.

Paralajmërimi për “Përplasje Civile”: Presion apo Kërcënim?

Ndër të tjera, Berisha paralajmëroi “përplasje të mundshme civile që mund ta kthejë vendin shumë vite pas.”

Kush e bën këtë paralajmërim dhe kur?

Këto fjalë, të thëna nga një lider opozitar që pretendon se “mbështet” protestën, kanë funksionin e presionit psikologjik si mbi qeverinë europiane, ashtu edhe mbi vetë protestuesit. Mesazhi i nënkuptuar është: pa mua, pa PD-në, kjo protestë mund të shpërthejë në kaos.

Pra: ose unë, ose kaosi.

Ky është një prej intrigave më të vjetëra të politikës autoritare. Dhe kjo frazë duhet lexuar me kujdes nga të gjithë ata që duan që protesta të mbetet ajo që është paqësore, e pavarur dhe pa pronarë, por e Shqipëtarëve të ndershëm!

Protesta Nuk Ka Pronar

Kjo është e vërteta thelbësore që Berisha dhe aparati i tij po punojnë ta errësojnë çdo ditë.

Protestuesit e Shqipërisë nuk janë “bazë e opozitës.” Nuk janë ushtria e Berishës. Nuk janë as e majta, as e djathta. Janë njerëz kryesisht të rinj —
që kanë vendosur të thonë mjaft ndaj një sistemi të tërë, të cilin e kanë ndërtuar dhe e mbajnë gjallë të dy krerët e tij: Edi Rama dhe Sali Berisha.

Çdo përpjekje e Berishës për ta paraqitur veten si zë të kësaj lëvizjeje është jo vetëm mashtrim , është ofendim ndaj të gjithë atyre që dolën në rrugë duke e ditur shumë mirë se kë donin të largonin.

Protesta buçet: Rama dhe Berisha në burg!

Berisha e dëgjoi. Por zgjodhi të dëgjojë vetëm gjysmën.

Kjo gjysmë-vështrimi i tij nuk është harresë. Është strategji. Dhe është pikërisht arsyeja pse kauza e protestës mbetet aq e rëndësishme sa ishte në ditën e parë, madje edhe më e rëndësishme sot, kur grabistët fillojnë të lëvizin.

Po ndodh...

ide