BE reagon për vendimin e Gjykatës Supreme që i shpalli tarifat e Trump të paligjshme: Po e shqyrtojmë me kujdes, të hënën diskutim në PE!

20 Shkurt 2026, 18:50 / BOTA ALFA PRESS

BE reagon për vendimin e Gjykatës Supreme që i shpalli tarifat e

“Po e marrim parasysh vendimin dhe po e analizojmë me kujdes”, tha për AFP-në Olof Gill, zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke shtuar se po priste “sqarime” nga qeveria amerikane “mbi masat që synon të marrë” pas vendimit.

“Bizneset në të dyja anët e Atlantikut varen nga marrëdhënie tregtare të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të mbështesim tarifat e ulëta dhe të punojmë për t’i ulur ato”, shtoi ai.

Komisioni Evropian ende nuk ka thënë se cilat do të jenë pasojat e këtij vendimi për marrëveshjen tregtare që përfundoi verën e kaluar me Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja uli tarifat e vendosura nga Shtetet e Bashkuara për shumicën e produkteve evropiane në 15%.

Vendimi i Gjykatës Supreme mund të ngadalësojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Komiteti i tregtisë i Parlamentit Evropian pritet të votojë për këtë çështje të martën.

Eurodeputeti socialdemokrat gjerman Bernd Lange, kreu i këtij Komiteti, njoftoi se kishte thirrur të hënën “një takim të jashtëzakonshëm të ekipit negociator dhe shërbimit ligjor të Parlamentit Evropian për të diskutuar hapat e ardhshëm dhe implikimet e vendimit mbi orarin e planifikuar”.

“Duke pasur parasysh që një pjesë e madhe e tarifave hakmarrëse bazohen në një kuadër ligjor tani të diskutueshëm, as qeveria amerikane dhe as Bashkimi Evropian nuk mund të rifillojnë thjesht aktivitetet e tyre sikur të mos kishte ndodhur asgjë”, theksoi ai.

Po ndodh...