Vjedhja e sendeve të pasagjerëve në Rinas, policia kërkon vendosjen e kamerave në zonën e imbarkimit të bagazheve

13 Gusht 2024, 13:49 / AKTUALITET ALFA PRESS

Vjedhja e sendeve të pasagjerëve në Rinas, policia kërkon

Policia e Shtetit ka kërkuar vendosjen e kamerave të sigurisë në zonën e imbarkimit të bagazheve të pasagjerëve të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, vendi me riskun më të lartë ku dyshohet se hapen nga punonjësit për të marrë sendet me vlerë, kryesisht bizhuteri dhe para.

Po ashtu, në bazë të kësaj kërkese është edhe vendosja e kamerave personale të trupit te çdo punonjësi që merret me transportimit e bagazheve, me synim dokumentimin e plotë të rasteve të vjedhjeve që mund të konstatohen. Vetëm në këtë mënyrë synohet t’i jepet fund problematikës së shtuar të humbjes së sendeve me vlerë në aeroport.

Vetëm ditën e hënë, pranë autoriteteve policore të aeroportit janë paraqitur 3 raste për humbje të sendeve me vlerë nëpër valixhe, ndërsa kohët e fundit denoncime të ngjashme sa vijnë e shtohen. Një ditë më parë, blutë arrestuan një punonjës që u kap në flagrancë duke fshehur sende të vjedhura nëpër bagazhe dhe një tjetër po hetohet në gjendje të lirë.