Në kërkim nga Interpoli për falsifikim dokumentash, bie në pranga 52-vjeçari iranian

11 Shtator 2024, 17:35 / AKTUALITET ALFA PRESS

Në kërkim nga Interpoli për falsifikim dokumentash, bie në
Një 52-vjeçar iranian i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar ditën e sotme në hyrje të Kakavijës. Mësohet se Mehran Kamolpour 52 vjeç, është dënuar nga Gjykata e Teheranit me 2 vjet burgim, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Teheranit dhe Interpol Tiranës, Policia Kufitare kapi në hyrje të RSH-së, shtetasin iranian të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Mehran Kamolpour 52 vjeç, lindur në Iran dhe banues në Danimarkë.

Në vijim të veprimeve procedurale, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Gjirokastër arrestoi me qëllim ekstradimi drejt Iranit, shtetasin M. K., të cilin Gjykata e Teheranit e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.