I akuzuar për vrasje e mbetur në tentativë dhe grup kriminal, SPAK kërkon 25 vite burg për të “fortin” e Myslym Shyrit

12 Prill 2024, 11:43 / AKTUALITET ALFA PRESS

I akuzuar për vrasje e mbetur në tentativë dhe grup kriminal,

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 25 vite burg të Gjergj Cukalit, i njohur edhe si i “forti” i “Myslym Shyrit”.

Gjergj Cukali akuzohet se është porositës i atentatit me minë të Altin Xhuxhës alias Gjon Mena më 9 shkurt 2021 në Kamëz.

Atentat me tritol kishte si qëllim ekzekutimin e Altin Xhuxhës, i cili mbeti i gjymtuar nga shpërthimi.

Zbardhja e kësaj ngjarjeje nxori sërish në skenë Gjergj Cukalin, i cili përfundoi në pranga si porositës i kësaj ngjarjeje. Ai akuzohet se kishte “punësuar” dy kushërinj nga Zall-Bastari, Enver dhe Ermond Jamaku , 33 e 24 vjeç, për të montuar minën në makinën e objektivit të tij.

Konkretisht më 9 shkurt, në rrugën “Silvio Berluskoni”, në Kamzë, ndodhi shpërthimi në makinë, në momentin që Xhuxha shtypi pultin për ta hapur automjetin. Duke qenë se ishte afër makinës në momentin e aktivizimit të bombës, ai mbeti i plagosur në të dyja këmbët.

Dy javë pas ngjarjes, më 29 shkurt, policia arrestoi Gjergj Cukalin dhe dy kushërinjtë e punësuar prej tij për montimin e minës.

ZBARDHJA E NGJARJES

“Zbardhet ngjarja e ndodhur në Kamzë me eksploziv ku për pasojë mbeti i gjymtuar një shtetas. Finalizohet me sukses operacioni ‘Sateliti’ nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kapen dhe vihen në pranga tre shtetas si autorë të dyshuar të ngjarjes”, tha zyrtarisht Policia.

Më pas sqaroi se pas një pune policore dhe procedurale të pandërprerë të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së ndodhur në datë 09.02.2021, ku në rrugën “Silvio Berluskoni”, Kamzë, është tentuar të vritet me eksploziv të telekomanduar shtetasi Gjon Mena (Altin Xhuxha), i cili si pasojë e shpërthimit, ka ngelur i dëmtuar në gjymtyrë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Bazuar në provat ligjore të siguruara nga puna hetimore dhe veprimeve të shpejta procedurale, si dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative në lidhje me këtë ngjarje, nga sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Sektori Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Nr. 5, Nr. 2 dhe Nr. 4, Tiranë, sektori Forcës së Posaçme Operacionale dhe sektori Forcës Posaçme Operacionale për mbështetjen hetimore/kërkimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua me sukses operacioni”, tha Policia.

Në përfundim të veprimeve të para nga ana e specialistëve të Seksionit Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje: Gjergj Cukali, 42 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale të “Rëmbim personi”, “Vrasje me paramendim”, “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”; Enver J., 33 vjeç; Ermond J., 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e kësaj ngjarje, janë sekuestruar prova materiale, si automjete dhe sende të tjera, të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale dhe implikojnë drejtpërdrejtë autorët e saj, prova të cilat për shkak të sekretit hetimor nuk bëhen të ditura në këtë moment.

 

Po ndodh...